Transmetuar më 28-12-2012, 14:45

Tiranë, 28 dhjetor 2012, NOA- Kur nga festa e ndërrimit të viteve ndajnë vetëm pak ditë, Policia e Shtetit garanton se janë marrë të gjitha masat për vijimin e aktiviteteve pa problem.

Në këtë linjë theksohet se janë hartuar plane të veçanta me detyra të mirëpërcaktuara për garantimin e sigurisë publike, rritjen e sigurisë në rrugë dhe vendet ku do të zhvillohen aktivitetet festive, si dhe për menaxhimin e fluksit të shtuar lëvizjes në pikat e kalimit kufitar.

Përmes këtyre masave synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë ambientet, ku qytetarët do të festojnë festat, garantimi i sigurisë rrugore me standarde, sidomos në ato akse ku do të ketë shtim të lëvizjes së automjeteve  për shkak të kthimit të emigrantëve, menaxhimi profesional dhe i shpejtë i fluksit të lëvizjes në të gjithë pikat e kalimit kufitar, si dhe garantimi i një shërbimi policor me standarde të larta.

Në kuadër të këtyre masave, drejtoritë e policive në qarqe, po mbajnë kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera të angazhuara me punë gjatë festave, si organet e qeverisjes vendore, qendrat spitalore, shërbimi zjarrfikës, me qëllim realizimin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të masave e veprimeve policore për të garantuar shërbim të lartë e profesional ndaj qytetarëve.

Drejtoritë e Policisë së Qarqeve dhe Komisariatet e Menaxhimit të Trafikut Interurban, kanë marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit publik, lëvizjen e qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, sidomos në akset që lidhen me pikat kufitare si dhe vendeve, gjatë zhvillimit të aktiviteteve me rastin e festave të fundvitit.

Po kështu, nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, nisur nga shtimi i fluksit të lëvizjes së qytetarëve me rastin e festave të fundvitit, janë marrë të gjitha masat për kontrollin e kufirit shtetëror, menaxhimin e fluksit të hyrje-daljeve të shtetasve dhe automjeteve, shmangien e radhëve në kufi, kontroll sa më të shpejtë dhe me standarde, nëpërmjet shtimit të numrit të personelit dhe vendeve të kontrollit, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shërbimin doganor.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar që nga data 24 dhjetor dhe do të vazhdojnë deri në një urdhër të dytë, në përfundim të festimeve.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit