

Prishtinë, 27 dhjetor 2012, NOA- Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është përzgjedhur si autore e Strategjisë më të mirë Kombëtare për Diplomaci Dixhitale nga të gjitha shtetet e Ballkanit, nga revista prestigjioze për diplomaci publike në Turqi “Yeni Diplomasi” (“Diplomacia e Re”).
Strategjia e Diplomacisë Dixhitale e Kosovës vlerësohet si më e mira pas asaj të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Izraelit, nga ekspertët turq që kanë vlerësuar përmbajtjen e Strategjive të disa dhjetëra shteteve si dhe veprimet e ndryshme që ministritë e jashtme dhe diplomacitë botërore kanë ndërmarr për afirmimin dixhital të shtetit të tyre.
Halil Ibrahim Izgi, ekspert turk për diplomaci publike dhe dixhitale, në një shkrim autorial në revistën “Yeni Sahaf”, lajmëron për gjetjet e analizës së “Yeni Diplomasi” ku thuhet se: “Kosova është bërë një ndër shtetet më aktive në diplomacinë dixhitale. Kjo ka ndërlidhje të madhe me tentativat e shtetit për më shumë njohje. Përkrahje të madhe, diplomatët kosovarë kanë edhe nga diaspora dinamike dixhitale që përfaqëson aset të madh të Kosovës”.
Kjo analizë paraqet Kosovën si shtetin e katërt me strategjinë më të mirë, pas superfuqive në internet SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Izraelit.
Petrit Selimi, zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës dhe përgjegjës për inicimin e draftimit dhe implementimit të Diplomacisë Dixhitale në Kosovë thotë se Kosova këtë vit ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në komunikim nëpërmjet mjeteve dixhitale.
“Fillimisht kemi përfituar përkrahje nga ekspertë të ministrive simotra, pastaj kemi kërkuar sponsorim dhe jemi të gëzuar për përkrahjen që na kanë dhënë Qeveria norvegjeze dhe britanike për veprimet tona në diplomaci dixhitale. Sipas Strategjisë, kemi investuar në krijim të app-save për telefoni mobile, jemi duke organizuar trajnime për Wikipedia, ndërsa kemi edhe shumë veprime, portale dhe projekte për të implementuar edhe më 2013”, ka thënë Selimi, duke bërë të ditur se që në janar do ta lançohet një portal interesant në pesë gjuhë që do ta prezantojë Kosovën.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





