Transmetuar më 27-12-2012, 09:51

Foto ilustruese

Gjirokastër, 27 dhjetor 2012, NOA/A.Ymeraj- Policia kufitare e Kakavijës ka bërë prangosjen e dy personave të cilët u kapën duke grabitur me armë dhe maska.

Dy autorët e kësaj ngjarje të identifikuar si 27 vjeçari Bushi Rukaj nga Memaliaj dhe Eugen Beca 27 vjeç nga fshati Veliqot i Tepelenës u kapën në flagrancë bashkë me materialet e vjedhura.

Burime zyrtare nga policia i thanë agjencisë së lajmeve noa.al se shkak për sinjalizimin e tyre u bë denoncimi qysh në orët e para të mëngjesit nga dy persona, të cilët kallëzuan para uniformave blu se dy persona me armë dhe maska në kufirin jeshil në tokën greke mbi doganën e Kakavijës i kishin grabitur, ndërsa këta të fundit ktheheshin nga emigrimi në Greqi.

Menjëherë nga ana e policisë nisi një operacion i cili u finalizua me arrestimin në flagrancë të dy të rinjve. Mësohet se dy grabitësit ishin futur në tokën greke nëpërmjet kufirit jeshil dhe duke përdorur armë zjarri automatike dhe maska të cilat i fshihnin në territorin e shtetit grek u kanë dalë përpara dy personave nga Vlora dhe Shkodra të cilët kalonin ilegalisht kufirin jeshil nga Greqia për të hyrë në Shqipëri.

Makina me te cilen udhetonin grabitesit

Nën kërcënimin e armës së zjarrit Rukaj dhe Becaj u kanë vjedhur shtetasve V.M 36 vjeç nga Vlora dhe M.B 24 vjeç nga Shkodra 1325 Euro, një varëse floriri, një orë dore dhe dy telefona celularë.

Ndalimi i grabitësve, u bë në aksin rrugor Jergucat- Kakavijë, ku Bushi Rukaj ishte duke drejtuar automjetin tip Benz me targa  AA 247 EJ, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Lidhur me këtë ngjarje materialet i kaluan Prokurorisë, ndërsa vijon kontrolli në kufirin jeshil për të gjetur armën e zjarrit dhe maskat e përdoruara nga autorët.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit