

Tiranë, 24 dhjetor 2012, NOA- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha theksoi se Plani Urbanistik është sipas direktivave të BE-së dhe e vlerësoi planin, si kushtetutën e qytetit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku po diskutohet Plani Urbanistik i Tiranës, ai theksoi se në muajin maj është prezantuar drafti i parë për planin e më pas nisën konsultimet, raporton noa.al.
“Plani normon dhe është mbi bazën e normave të këtij plani, të kryhen ato plane të detajuara vendore. Plani i detajuar vendor është skicë e plotë sesi do të zhvillohet ajo njësi dhe pasi i nënshtrohet procedurave ligjore të miratimit është kriteri mbi të cilin bashkia jep lejen e zhvillimit. Asnjë leje nuk mund të jepet me planin e përgjithshëm. Ky plan është kushtetuta e qytetit”, u shpreh kryebashkiaku.
Gjithashtu ai theksoi se synimi ka qenë për një përfshirje të ekspertëve më të mirë dhe me këtë synim janë ngritur dy grupe, grupi strategjik dhe grupi teknik.
“Ekspertë të të gjitha fushave, sociologjia, urbanistika, ambientalistët, juristët, ekonomistët, të gjitha fushat që ishin të përfaqësuara duke përfshirë përfaqësues institucionesh dhe synimi do të ishte të orientonte drejtimet e përgjithshme të punës së grupit teknik dhe të miratonte variantet e grupit teknik. Grupi teknik përbëhet nga një bërthamë më e ngushtë. Ekspertët, pjesa kryesore vinin nga universiteti i Tiranës, universiteti Politeknik dhe nga institucione me përvojë në hartimin e planeve urbanistike. Synimi ishte duke ndërtuar mbi atë pjesë të përvojës që ishte e vlefshme, një plan të përfunduar, një plan të azhornuar nga realiteti siç është sot, dhe së treti të plotësuar me të gjitha standardet bashkëkohore”, nënvizoi Basha.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





