

Prishtinë, 23 dhjetor 2012, NOA- Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se një shtet që nuk ka zhvillim ekonomik rrezikon të bëhet shtet i krimit e korrupsionit.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar për 23-vjetorin Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa ka thënë se Kosova duhet të ecë përpara në reformimin e saj demokratik, si dhe në zhvillimin ekonomik e politik për të qenë një shtet i suksesshëm.
Përveç kritikave adresuar qeverisjes aktuale, siç raportojnë mediat kosovare Mustafa i drejtoi edhe mesazhe komunitetit ndërkombëtar duke thënë se faktori ndërkombëtar në Kosovë të angazhohet shumë më shumë për sjellje ligjore mbi parime të demokracisë, e jo që objektiv kryesor të jetë stabiliteti politik.
Në 23-vjetorin e themelimit të LDK-së, kryetari i saj, Isa Mustafa, i cili mban edhe postin e kryetarit të Prishtinës, ka kontestuar sërish flamurin dhe himnin e Kosovës.
Ai është zotuar se kur LDK-ja të vijë në pushtet, simbolet shtetërore të Kosovës do të jenë ato që i kishte prezantuar presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova.
“LDK-ja do ta bëjë realitet, bashkë me qytetarët e vendit, që Flamuri i Dardanisë të jetë flamur zyrtar i Republikës së Kosovës, ndërsa himni i propozuar nga presidenti Rugova, ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, të jetë himn i Republikës së Kosovës. Ky është borxhi që ia kemi prijësit tonë të madh, Presidentit historik Ibrahim Rugova, njeriut që së bashku me LDK-në e projektoi dhe e themeloi Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës”, është shprehur Mustafa.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





