



Tiranë, 22 Dhjetor 2012 NOA.al/ Blerina Gjevori – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dha në mjediset e institucionit pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit për përfaqësuesit e mediave shqiptare.
Në pritje, ishin të pranishëm deputetë të Komisionit parlamentar të Medias, drejtues të mediave, kryeredaktorë, gazetarë, analistë, komentues, folës, kameramanë, fotografë, zëdhënës institucionesh, etj.
Mesazhi i z.Nishani, ishte kuptimplotë: Shkruani për qytetarët. Ndaj ai iu drejtua gazetarëve duke nënvizuar bindjen se media është syri dhe veshi i qytetarit shqiptar; zëri i fuqishëm kritik, shpotitës e komentues.
Kreu i shtetit i inkurajoi përfaqësuesit e medias që të jenë gjithmonë e më shumë aktivë, gjithmonë e më shumë kritikë, gjithmonë e më shumë të orientuar nga analiza e komentet e të gjithë fushave, në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë gjithmonë në nivelin që meriton të ketë një shoqëri ambicioze për të ardhmen e saj dinamike në jetën shoqërore, politike, sociale, kulturore të vendit.
“Dua të jem pjesë e të gjithë asaj armate të madhe të qytetarëve të shoqërisë sonë, që ju inkurajon, ju mbështet, ju nxit dhe ju vlerëson në misionin tuaj, në radhë të parë, por edhe në punën tuaj të përditshme, e cila padyshim, si çdo fushë tjetër ka sfida të shumta, sfida të mëdha!” – theksoi Presidenti i Republikës.
“Shoqëria jonë ka nevojë akoma më shumë, pasi, duke qenë një demokraci e re, duke qenë një vend, i cili institucionet i konsolidon çdo ditë e më shumë, ky shërbim, dhe me besim të madh e them shërbim, i cili gjykoj që është pak më shumë se sa kontribut, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm”, – u shpreh z. Nishani.b.gj/a.b/noa.al
SHIKONI VIDEON MË POSHTË OSE KLIKONI KËTU
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





