

Prishtinë, 22 Dhjetor 2012, NOA.al – Qëndrimi i FIFA-s për futbollin e Kosovës në përgjithësi dhe vendimi i fundit për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të reprezentacioneve të ndryshme të Kosovës ishte skandaloz.
Ai vendim, i cili i sugjeron Kosovës se për zhvillimin e miqësoreve në territorin e Kosovës duhet të pyetet Serbia, i tejkalon edhe aspiratat e Serbisë të shprehura në platformën e fundit të saj.
Ky vendim dhe trajtimi trembëdhjetëvjeçar i futbollit kosovar nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s dëmton rëndë futbollin e Kosovës, mbyt iniciativat e investimeve në futboll, dëmton talentet e shumta sportive si dhe një varg pasojash tjera.
Lëvizja për Bashkim duke reaguar sot lidhur me këtë fakt, kërkon ndërhyrjen urgjente të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë në këtë çështje, raporton noa.al.
“Është momenti i funtit që Kosova e Shqipëria të ulen dhe ta trajtojnë seriozisht këtë problematikë dhe të gjejnë zgjidhje për të, pasi që angazhimi serioz gjithmonë rezulton me zgjidhje”, – shprehet LB.
Ajo sugjeron se një union i federatave të futbollit të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, i cili do të çonte në një kombëtare të përbashkët dhe në liga të përbashkëta, do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj situatës. a.b/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





