

Përjashtohet nga festivali, kënga finaliste “Më lër një ëndërr”, e interpretuar nga Ani Çuedari
Tiranë, 22 Dhjetor 2012 NOA.al/ Ariola Ymeraj – Nuk është hera e parë që ndodh në evenimente muzikore shqiptare por në festivalin e radiotelevizionit shtetëror asnjëherë nuk është pranuar se ka ndodhur.
Këtë herë mesa duket ka bërë “mu” dhe drejtuesit e festivalit janë detyruar të marrin masë përjashtimi edhe pse kënga shkoi në finale duke u bërë pretendente serioze për të marrë çmimin që e çonte në Eurovision.
Kënga që u zbulua se ishte një kopjim sade, ishte ajo që këndohej nga Ani Çuedari. Ajo titullohet “Më lër një ëndërr”. Sipas zyrës për shtyp të festivalit ishte e kompozitorit Endri Tola. Kurse në informacionin e publikuar më herët për këngën, thuhej se ishte me kompozitor dhe orkestrues Arion Muka.
Burime zyrtare nga stafi i festivalit i thanë sot agjencisë noa.al se është vendosur përjashtimi i këngës, “pas një shkrese nga udhëheqësi artistik i festivalit ku u denoncua plagjiatura”.
Mësohet se juria e përbërë nga 7 anëtarë pasi dëgjoi dy varantet vendosi që kënga të përjashtohet nga finalja.
Po sipas vendimit të jurisë, në finale do të shkojnë vetëm 17 këngë nga 18 të parashikuara, pra nuk do të zëvendësohet me asnjë konkurrent të mbetur jashtë.
“Më lër një ëndërr” sipas verifikimeve që bëhen lehtësisht edhe në YouTube është kopjuar nga këngëtarja J-Min nga Koreja e Jugut, kënga “Stand up”.
Ndërkohë fakti që një ndër këngët më të mira të festivalit ishte tërësisht e vjedhur nga Koreja e Jugut, shton dyshimet se të tjera këngë të marra nga vende larg Europës, mund të jenë kopjuar.
Këngën koreane mund ta dëgjoni dhe shikoni këtu:
VIDEO: Kënga koreane që kopjoi Ani Çuedari për Festivalin e 51-të
VIDEO: Ani Çuedari, kënga e kopjuar, Më lër një ëndërr
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





