Transmetuar më 21-12-2012, 13:23

Tiranë, 21 dhjetor 2012, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri tha sot për mediat se do të vazhdoj të ndjek procesin gjyqësor ndaj fëmijëve të kryeministrit, Sali Berisha, pavarësisht se Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për dënimin e tij lidhur me akuzat publike që ka bërë për korrupsion.

Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi atë për të dëmshpërblyer Argita dhe Shkëlzen Berisha me nga 2.5 milionë lekë. Gjykata e Apelit e ka ulur këtë shumë në 1 milion lekë të rinj, për secilin prej tyre.

“Unë do vazhdoj të kërkoj të drejtën pa asnjë hezitim në Gjykatën e Lartë dhe nuk kam asnjë motiv të tërhiqem së pari nga mundësia ime për drejtësi në këtë vend dhe së dyti nga deklaratat e mia se fëmijët e kryeministrit bashkë me kryeministrin janë të përfshirë në korrupsion”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se një pjesë e sistemit gjyqësor është thyer në kamxhik ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin në këtë vend. “Është për të ardhur keq që sistemi gjyqësor, një pjesë e tij, është kthyer në kamxhik ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin. Sot po ndodh që nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që bëjnë korrupsion, nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që vranë në Gërdec, nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që vranë në 21 janar, por dënohen ata që kanë guxim të denoncojnë korrupsionin e kryeministrit dhe familjes së tij”, tha deputeti Tahiri.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit