

Blerim Shala
Prishtinë, 21 dhjetor 2012, NOA – Pala kosovare në asnjë formë nuk do të mund të bisedojë me Beogradin nëse Daçiç thotë se zgjidhja për problemin e Kosovës është platforma.
Paralajmërimin e ka bërë koordinatori i dialogut politik nga pala kosovare Blerim Shala. Ai analizon në detaje platformën e publikuar në mediet e Prishtinës, një ditë pasi që Qeveria serbe e ka shpërndarë atë në adresë të diplomacive perëndimore duke e prezantuar si “non-paper”.
Sipas Shalës, pala kosovare nuk ka se çfarë të diskutojë për këtë platformë as në Bruksel e as në ndonjë vend tjetër të botës. “S`kemi çfarë të bisedojmë për këtë dokument. Askush prej nesh nuk duhet të bisedojë me këdo qoftë për këtë dokument, askund, as në Bruksel, as në Tunizi, e askund tjetër. Është dokument fund e krye i mbrapshtë dhe është në kundërshtim me atë që ka ndodhur në Kosovë. Nuk harxhojmë kohë duke biseduar për këtë dokument”, ka thënë Blerim Shala.
Sipas tij, Beogradi edhe një herë ka provokuar Kosovën, duke e dëshmuar se nuk ka ndryshuar që prej vitit 1998 dhe ka arritur që sërish ta vendosë veten në pozitë armiqësore ndaj Perëndimit. Platforma, sipas Shalës, është përpjekje e dështuar për të ndryshuar kahen e dialogut të nisur në Bruksel.
“Ky dokument është shuplakë në fytyrën e zonjës Ashton, shuplakë ndaj Uashingtonit, Brukselit dhe Berlinit”, ka thënë Shala. Sipas tij, agjenda e bërë publike nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme është e qartë.
“Agjenda ka qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa e obliguar Serbinë ta njohë pavarësinë, krijimin e një situate kur të dyja nuk e pengojnë njëra – tjetrën në integrimin e evropian dhe mospengimi i Kosovës në anëtarësimin e të gjitha mekanizmave ndërkombëtarë që janë BE-ja dhe OKB-ja”, ka thënë Shala.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





