Transmetuar më 20-12-2012, 18:28

Tiranë, 20 dhjetor 2012, NOA- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në Parlament, ku po diskutohet për propozimin e PS për ngritjen e Komisionit Hetimor për rritjen e popullsisë në qarkun e Kukësit, vlerësoi se hetimi që kërkohet është serioz dhe i ligjshëm.

Sipas tij qeveria po i manipulon zgjedhjet pa nisur ato ndaj dhe shton se PS kërkon hetim për të vënë drejtësinë në vend, raporton noa.al.

“Është një nisje, rrugëtimin e së cilës fundin ia dinë të gjithë, ky është një manipulim i zgjedhjeve. Në dimrin e fundit të këtij katër vjeçari sherresh të pafund jemi sërish në pikën e fillimit. Hetimi që kërkon PS si palë e interesuar për përgatitjen e procesit bazohet në monitorimin e të dhënave mbi popullsisë”, u shpreh ai.

Sipas tij rritja e numrit të banorëve në Kukës është më e madhja mes të gjitha qarqeve, vetëm Tirana është rritur më shumë, ky krahasim shifrash nxjerr në pah manipulimin e kryer në sytë e të gjithë publikut.

“Grupi parlamentar i PS ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për situatën e krijuar në vend. Opozita kërkon hetim dhe korrigjimin e situatës së krijuar, refuzimi i hetimit është i pritshëm është pjesë e degradimit të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Hetimi që kërkohet është serioz dhe i ligjshëm, votuesit e Shqipërisë vlejnë më shumë”, përfundoi fjalën e tij deputeti socialist.

Sakaq më herët, deputeti Damian Gjinkuri paraqiti në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor ku thuhet se shtimi i popullsisë në qarkun e Kukësit është bërë në mënyrë të paligjshme, e cila ka ndodhur vetëm në pak muaj dhe në disa zona të veçanta.

Gjiknuri kërkoi nga mazhoranca që të miratojë ngritjen e këtij Komisioni, pasi sipas tij, çdo refuzim do të thotë se qeveria ka futur duart në këtë çështje për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit