

Vlorë, 20 dhjetor 2012, NOA- Operacioni i policisë së Vlorës i koduar “Sfida 3” çoi në pranga 9 persona të akuzuar për vjedhje me armë.
Burime zyrtare nga policia i thanë noa.al se të ndaluarit janë Daniel Qepeku 22 vjeç; Brisild Ismaili 21 vjeç; Jurgen Zotaj 18 vjeç; Sami Balla 18 vjeç; Lusien Abedini 18 vjeç; E.L 17 vjeç; Xh.N 17 vjeç; E.H 17 vjeç që të gjithë me banim në Vlorë, ndërsa u bë shpallja në kërkim e 16 vjeçarit me iniciale R.R.
Të sipërpërmendurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin për një periudhë kohore të ndryshme kanë vjedhur me armë karburante, pika bastesh, banesa etj, katër prej tyre të provuara.
Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një armë zjarri tip automatik model 56; automjeti tip Mercedes-Benz me targa VL 3686 C të cilin këta shtetas e kanë përdorur për kryerjen e grabitjeve; 8 aparate celulare; një sasi fishekesh 7.62 mm; një armë e ftohtë thikë; një kaçavidë; maska dhe doreza plastike.
Lidhur me të ndaluarit materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Vjedhje me armë” dhe “Vjedhje me dhunë”.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





