Transmetuar më 19-12-2012, 21:37

Tiranë, 19 dhjetor 2012, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me ish-ushtarakë dhe ish-policë, i quajti politike largimet e tyre nga puna.

“Jeni në moshë aktive me një karrierë përgjithësisht të ndërprerë në mënyrë të padrejtë për shkak të politikës, për shkak të qëllimeve politike të mbrapshta të një qeverie, e cila ju ka larguar nga puna jo mbi bazën e meritës, por mbi bazën e disa parimeve që nuk kanë të bëjnë me shtetin ligjor. Prandaj unë besoj, që në respektin tuaj, sot është shumë me rëndësi që të flasim më shumë se sa thjesht ato probleme që ne bashkërisht i dimë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të sotmen tuaj. Të flasim për të sotmen e vendit dhe për të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh ai.

Ndër të tjera Rama theksoi se sot vendi është në një situatë ku gjendja e ligjshmërisë dhe e rendit është më e ulëta që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë, pas kolapsit të vitit 1997.

“Jetojmë një kolaps të një natyre tjetër, por është fakt që sot siguria hyn ndër problemet kryesore të çdo familjeje të zakonshme. Ne bëjmë anketa të përmuajshme për të kuptuar më mirë opinionin publik, për të kuptuar më mirë shqetësimet e qytetarëve. Më besoni që në anketat tona grafiku i rritjes së shqetësimit të njerëzve për sigurinë është gjithmonë e më në kulm. Sot njerëzit kanë problem themelor sigurinë. Sigurisht, që ne jemi të vetëdijshëm për këtë”, u shpreh ai.

Rama theksoi gjithashtu se siguria lidhet me gjendjen e përgjithshme psikologjike të shoqërisë dhe sot kjo qeveri sipas tij, ka humbur sfidën e rendit dhe sigurisë.

“Ka humbur sigurinë dhe e përjeton këtë humbje sigurie kudo. Kjo është pasoja e një politike tërësisht të verbër në raport me institucionet e sigurisë, institucionet e rendit publik. Humbja në mënyrë të vazhdueshme, dhe besoj edhe kundër çdo interesi kombëtar e publik, e nivelit të profesionalizmit në polici nuk ka se si të mos sjellë këtë pasojë. Pra, e para, që ne besoj duhet të ndajmë bashkërisht është domosdoshmëria për të rivendosur meritën në gjithë strukturën e Policisë së Shtetit, dhe sigurisht edhe në të gjitha strukturat e sigurisë. Sepse kemi një problem të humbjes së çdo vlere të bazuar mbi konkurrencën, mbi meritën, mbi profesionalizmin, dhe të gjitha të tjerat, edhe në ushtri”, vlerësoi Rama.

Më tej ai shtoi se PS është shumë e angazhuar dhe e gatshme për të ndërtuar një proces qeverisës diametralisht të ndryshëm nga ky që kemi përjetuar gjithë këto vite.

“Ne besojmë dhe unë jam i bindur që në rast se duam ta nxjerrim Shqipërinë nga ky batak këtë mund ta bëjmë vetëm në qoftë se kuptojmë të gjithë bashkë se kjo është një detyrë e përbashkët. Asnjë qeveri e vetme nuk mund ta bëjë një gjë të tillë në këto kushte”, u shpreh ai.

“Ndaj do t’ju lutesha shumë që në këto ditë, që kanë mbetur deri në zgjedhje, secili prej jush të bëj gjithçka mundet. Secili prej jush mund të bëjë më shumë sesa një njeri i zakonshëm, sepse ju jeni të organizuar, ju keni më shumë arsye dhe ndoshta dhe më shumë vetëdije lidhur me çfarë i ka ndodhur shtetit dhe çfarë duhet të bëhet për shtetin në mënyrë që ne ti fitojmë zgjedhjet jo për të larguar nga karrigia  e kryeministrit një burrë që i ka dalë pak kurrizi tani dhe për të sjellë një më të gjatë, as për të ndërruar një parti me një tjetër, por realisht për të mbyllur një kapitull dhe për të hapur një kapitull tjetër”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij kreu socialit nënvizoi se një Rilindje Shqiptare nuk është utopi, nuk është as një nevojë e paplotësueshme, por është jo vetëm e domosdoshme, por edhe plotësisht e mundur.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit