

Vlorë, 19 dhjetor 2012, NOA- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi nga Vlora se patriotizmi i vërtetë është të bësh gjithçka për interesin më të madh që kërkon vendi, në momentin kur ti je dëshmitar.
“Dhe ne sot jemi dëshmitarë të asaj që vendi, interesin më të madh ka të eci më shpejt drejt integrimit evropian sepse kjo do të thotë më shumë për ne, do të thotë siguri, do të thotë mirëqenie, do të thotë më shumë begati dhe lumturi. Do të thotë një e ardhme më e ndritur për të gjithë fëmijët tanë”, u shpreh ai.
Kreu i LSI u shpreh i lumtur që më në fund u dëgjua që të përmendet dhe Naim Frashëri me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë edhe të themelimit të shtetit, sepse sipas tij çfarë nuk është dëgjuar në kuadër të 100 vjetorit.
“Por nuk dëgjuam aq sa duhej për Ismail Qemalin. Nuk dëgjuam fare për vëllezërit Frashëri dhe për shumë figura të tjera të nderuara sepse politika u ngatërrua më shumë seç i takon me historinë”, deklaroi ai.
Po ashtu Meta theksoi se LSI nuk pajtohet me stanjacionin, nuk pajtohet me papërgjegjshmërinë e politikanëve që vënë interesat e tyre përpara atyre të vendit, raporton noa.al.
“Sepse në rast se Shqipëria nuk ka burra të zotë të bëjnë atë që duhet, patjetër do të ketë gra të zonja dhe të zgjuara në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka dallim midis përgjegjshmërisë së grave dhe përgjegjshmërisë së burrave. Këtë e them me bindje të plotë, nuk ka dallim midis përkujdesjes së vajzës për prindërit dhe të nënës për fëmijën, të motrës për vëllanë. Është kjo fuqi e madhe njerëzore, kjo ngrohtësi e jashtëzakonshme, ky pozitivitet që i mungon politikës sonë por edhe shoqërisë sonë në përgjithësi, e cila dominohet nga konflikte politike tërësisht jashtë kohës”, tha kreu i LSI, gjatë fjalës së tij në aktivitetin e Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Vlorës.
Duke folur mbi pjesëmarrjen e gruas dhe vajzës në masën 50% në strukturat drejtuese të LSI-së, Meta nënvizoi se fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe demokratizim i vërtetë i shoqërisë.
Më tej ai theksoi se mesazhi i LSI-së është një mesazh pozitiv, konstruktiv, çtensionues, është një mesazh që shkon në interes të qytetarit dhe jo të konfliktit që pengon zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë sepse Shqipëria dhe e gjithë shoqëria jonë ka nevojë për bashkëpunim dhe jo për konflikt, ka nevojë për t’u përqendruar tek e ardhmja dhe jo për të rishkruar historinë sipas interesave të politikës së sotme. Vlora ka qenë gjithnjë në krye të proceseve transformuese në vendin tonë. Unë jam i sigurt se do të vazhdojë të jetë kështu dhe këtë do ta tregojë edhe në qershor të vitit 2013, ku ajo do të thotë fjalën e saj të fuqishme për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian dhe të ndërtimit të një të ardhme të sigurt për të gjithë vlonjatet dhe të gjithë shqiptarët”, përfundoi Meta.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





