




Tiranë, 19 dhjetor 2012, NOA- ALBtelecom dhe Eagle Mobile me mbështetje edhe të një spitali privat, japin kontributin e tyre për arsimin në hapësirën mbarëshqiptare.
Kompanitë kanë organizuar një konferencë për shtyp për prezantimin e nismës “Arsimi, projekti që na bashkon”, një projekt ky i iniciuar nga Fondacioni Arsimor Shqiptar (FASH).
Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile z. Orhan Coşkun (Xhoshkun), Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit z. Fatmir Vejsiu, si dhe studentë e prindër.
Kjo nismë do të ofrojë mbështetje për njëqind studentë që të kryejnë studimet e larta me bursë, ndërkohë që këto bursa përfshijnë të gjitha universitetet brenda vendit si dhe bursa në tre shtete: Turqi, Gjermani dhe Austri.
Z. Orhan Coşkun, drejtori i përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e arsimit duke thënë se “Ai që hap derën e një shkolle, mbyll derën e injorancës, atë të varfërisë, atë të papunësisë”, prandaj dhe unë përgëzoj kolegët e mi iniciatorë për mundësitë që sjellin për studentët nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Ndërkohë, z. Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit tha se arsimi krahas donacioneve të tilla ka edhe shumë nevoja të tjera, pasi investimi intelektual është po aq i rëndësishëm sa ai material.
“Kompanitë ALBtelecom dhe Eagle Mobile janë jo vetëm donatorë në fushën e arsimit, por edhe bashkëpunëtorët tanë në këtë fushë. Dëshiroj t’i falënderoj për shërbimin e internetit pa shkëputje dhe mundësitë që i kanë ofruar arsimit në procesin mësimor. Një tjetër projekt që do të burojnë nga ky bashkëpunim do të jetë edhe donacioni për futjen e bibliotekave dixhitale apo laboratorëve virtualë për të cilat shkollat tona kanë shumë nevojë,” ka thënë z. Vejsiu.
Projekti i Bursave të studimit që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe konsiston në sigurimin e bursave të studimit për maturantët e shkollave të mesme në mbarë Shqipërinë dhe nga hapësirat mbarëshqiptare.
ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë treguar një kujdes të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme për arsimin shqiptar.
Disa nga projektet e lançuara më parë janë: “20 Bursa Për Fëmijët Jetimë”, “Shkruajmë bukur Shqipen tonë”, “Dorë për Dorë me Arsimin”, si dhe dhurime librash dhe pajisjesh teknologjike si laptopë, kompjutera dhe projektorë për shkolla dhe universitete.
Ndërkohë, Fondacioni Arsimor Shqiptar është themeluar një vit më parë, si person juridik dhe funksionon si organizatë jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare. Ky fondacion ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë të pavarur nga organet dhe interesat shtetërore pa dallime raciale, besimi fetar, bindje politike, gjinie dhe origjine etnike.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





