



Tiranë, 18 dhjetor 2012, NOA- Sipas MeteoAlb, dita e nesërme do të sjellë përmirësim të kushteve atmosferike dhe për pasojë në zonat bregdetare dominuese do të jenë vranësirat dhe kthjellimet e herë pas hershme ndërsa në pjesën tjetër të vendit të pranishme do të jenë reshjet e dobëta të shiut e dëborës. Gjatë mesditës situata meteorologjike do të pësojë përmirësim të mëtejshëm duke i zhvendosur vranësirat dhe reshjet e dobëta të dëborës drejt zonave malore, në këto kushte në ultësirën perëndimore do të dominojë moti kryesisht i kthjellët. Gjatë natës i gjithë vendi do të jetë i kthjellët.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 4 gradë në vlerat e mëngjesit, ndërsa mesdita nuk do të ketë ndryshim të temperaturave.
Era do të fryjë mesatare si në tokë dhe në det me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor, për pasojë në det dallgëzimi do të arrijë 3 ballë.
Europa
Gjatë ditës së nesërme situata meteorologjike do të jetë favorizuese në pjesën më të madhe të kontinentit Europian, pasi moti i kthjellët do të jetë dominues në Europën Lindore, Qendrore, Jugperëndimore dhe në një pjesë të Rajonit të Mesdheut. Ndërsa në kushte e motit të paqëndrueshëm do të mbeten Ishujt Britanike dhe Europa Juglindore. Problematike situata do të paraqitet në Britani pasi reshjet e shiut në këto rajone do të bien në formë rrebeshi dhe do të shoqërohen me stuhi ere. Gjithashtu edhe në Ballkanin Lindor reshjet do të jenë të konsiderueshme të cilat do të bien në formë dëbore. Reshje më të dendura dëbore do të përjetojë Bullgaria, Serbia dhe Turqia.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





