

Jetëgjatësia në mbarë botën është në rritje, por ne po jetojmë më shumë vite me probleme shëndetësore që na shkaktojnë dhimbje, paaftësi dhe paqëndrueshmëri mendore.
Shkencëtarët e quajnë këtë ironi shkatërruese. Ata kanë përpiluar një raport të hollësishëm për historinë e shëndetit botëror.
Nga viti 1990 deri në vitin 2010 jetëgjatësia është rritur në shumë pjesë të botës. Tani mosha mesatare e vdekjeve ka shkuar në 70 nga 59 që ishte më parë. Ndërkohë gratë vazhdojnë të jetojnë pesë vjet më shumë se meshkujt.
Por ndërkohë që jetëgjatësia rritet, sëmundjet kronike dhe paaftësitë për shkaqe shëndetësore janë shtuar.
Sot problemet më të mëdha janë sëmundjet që nuk të vrasin, por që të bëjnë të vuash gjatë.
Për këtë raport kanë punuar më shumë se 300 institucione në 50 vende të botës.
Raporti është hartuar nga Universiteti i Uashingtonit.
Një tjetër fakt i rëndësishëm i këtij studimi është se ndërkohë që kequshqyerja ka rënë në listë si shkaktar vdekjesh, mbiushqyerja i ka zënë vendin.
Në total janë 3 milionë të vdekur në botë nga mbipesha, tre herë më shumë se nga kequshqyerja.
Duhani dhe alkooli janë në vend të dytë e të tretë si rreziqet më të mëdha të shëndetit pas tensionit të lartë të gjakut.
Me 52.8 milionë vdekje në mbarë botën, sëmundjet kronike kanë shënuar një rekord.
Nga AIDS vdesin 1.5 milionë njerëz në vit, kurse nga sëmundjet infektive, përfshi tuberkulozin, vdesin 1.2 milionë njerëz.
Ndërkohë që është ulur vdekshmëria foshnjore, ka pasur një rritje prej 44 për qind në vdekjet e të rriturve për shkak të vrasjeve dhe aksidenteve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





