

Disa fëmijë, arritën t’i shpëtonin plumbave në shkollën fillore në Newtown vetëm pasi qëndruan të fshehur në një dollap së bashku me mësuesen e tyre.
Mësuesja tregon sesi i mbante të mbyllur në dollap nxënësit, për t’i shpëtuar jetën, raporton noa.al.
Maryrose Kristopik, mësuesja e muzikës në Sandy Hook, ka shpëtuar 20 fëmijë ndërsa Adam Lanza, ndodhej jashtë derës së klasës dhe bërtiste: “Më lini të hyj. Më lini të hyj”.
Në një intervistë mësuesja ka rrëfyer sesi i mbante nxënësit në qetësi duke i folur me zë të ulët.
“Kam fshehur fëmijët në dollap dhe kam biseduar me ta që të ishin të qetë. U thashë atyre se i doja shumë dhe se në shkollë ndodhej një njeri i keq”, tregon mësuesja.
Sakaq pas derës së klasës ajo ka vendosur instrumente të ndryshme muzikore, për të bllokuar hyrjen e 20-vjeçarit.
“Vetëm po përpiqesha të isha sa më e fortë. Po mendoja për fëmijët. U thosha atyre se nëse do të qëndronim në heshtje dhe të fshehur asnjëri nuk do e dinte se ne ishim aty”, tregon mësuesja e muzikës.
Një tjetër fëmijë, i cili arriti t’i shpëtonte kësaj masakre tregon momentin kur ka dëgjuar të shtënat e armës.
“Isha në palestër dhe dëgjova të shtëna të forta, mësuesit na këshilluan të mblidheshim në një vend dhe të gjithë kështu vepruam. Ndërkohë që vazhdonim të dëgjonim ende të shtënat”, tregon djali, i cili i mbijetoi tragjedisë së ndodhur në Newtown, Connecticut.
Ndërkohë që njëri prej prindërve thekson se kjo ngjarje ishte tepër e tmerrshme.
“Ishin të gjithë të frikësuar. Prindërit, nxënësit. Kishte fëmijë që dilnin të gjakosur nga shkolla. Ishin të gjakosur, nuk e di nëse ishin të plagosur ose jo por di vetëm që ishin të gjakosur”, shprehet prindi, i njërës prej vajzave të kësaj shkolle.
“Pas disa minutash në klasë erdhi një polic e na tha të dilnim jashtë nga shkolla e kështu vepruam”, shprehet një tjetër vajzë.
I riu i cili vrau 26 persona, kishte mësuar të gjuante me armë nga nëna e tij, e cila koleksiononte armë dhe së bashku me fëmijët e saj shkonte shpesh në poligon.
20-vjeçari Adam Lanza, i cili mbante veshur një xhup anti-plumb dhe ishte i armatosur hyri me forcë në shkollën fillore Sandy Hook ku vrau 26 persona para se të vetëvritej.
Njëzet prej viktimave ishin fëmijë, përkatësisht nga mosha 5-10 vjeç.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





