

Durrës, 15 dhjetor 2012, NOA – Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha për heqjen nga të dhënat e Censusit 2011 të shifrave të papunësisë. Në takimin e zhvilluar sot në Durrës, ku u prezantua programi për çështjet sociale i PS, Rama u shpreh se prej vitit 2008 nuk ka vlerësime statistikore për ekonominë nga qeveria.
“Kryeministri u fshehu shqiptarëve të vërtetën për papunësinë. Kryeministri kërkoi heqjen e këtij kapitulli nga INSTAT. Në Shqipëri ka mbi 1 milion të papunë, qeveria ka hequr dorë nga vlerësimet zyrtare të varfërisë që nga 2008, nuk ka guxim ta vlerësojë dhe të shpallë shifra”, tha kreu i PS-së.
Rama shtoi se prej vitit 2008 vendi ka njohur rënie ekonomike dhe janë rritur taksat për familjet. Sipas tij, rritja e çmimeve të ushqimeve ka vështirësuar dhe më shumë jetesën.
“Por nga 2008 është përgjysmuar rritja ekonomike, është vendosur një taksë e sheshtë që e ka transferuar barrën fiskale nga korporata tek të punësuarit, barra fiskale me taksën e sheshtë nuk është ulur. Ka ndodhur rritja e lartë mbi ushqimet bazë, kanë rënë dërgesa e emigrantëve. Është rritur borxhi, ky nuk është borxh i shtetit, sa më të larta të jenë shpenzimet e borxhit aq më pak fuqi investuese ka familja” tha kreu i PS, Edi Rama.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





