Transmetuar më 14-12-2012, 16:37

Ashtu siç është bërë traditë, AMC vazhdon të mbështesë me bursa universitare studentët me rezultatet më të larta. Këtë vit 20 studentë kanë përfituar bursa për vitin akademik 2012-2013, të cilët janë përzgjedhur nga universitetet përkatëse, bazuar në rezultatet e tyre. Ceremonia u zhvillua pranë ambienteve të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe bursat e studimit u dorëzuan nga rektori i UPT, Jorgaq Kaçani, Zv.rektori i UT, Edmond Rapti, Drejtori i Divizionit Teknik të AMC, Rauf Elmas, si dhe Menaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës AMC, Ornela Bego.

“Do të doja të falënderoja kompaninë AMC jo vetëm për bursat e ekselencës, por edhe për bashkëpunimet e tjera, për investimet e bëra veçanërisht në Universitetin Politeknik. E falënderoj edhe për investimet e bëra në arsimin e lartë, sepse këto investime ndikojnë direkt në zhvillimin e shoqërisë”, tha Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranes, prof. Kaçani. Ndërsa zv.rektori i UT, prof. Edmond Rapti, pasi falënderoi AMC për mbështetjen, u shpreh se “stimulimi i këtyre studentëve përmes bursave të ekselencës, ndikon në rritjen e cilësisë së universiteteve tona, ku këta studentë me pas do t’i shndërrojnë rezultatet e tyre të shkëlqyera në kontribut për zhvillimin e shoqërisë shqiptare”.

Ndërsa Drejtori i Divizionit Teknik në AMC, zoti Rauf Elmas, theksoi se AMC ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të programeve për universitetet.

“Ne mendojmë se mbështetja jonë për promovimin e studenteve më të mirë, përgatitjen dhe edukimin e një klase elitare studentësh është krenaria e universiteteve, por edhe e vetë AMC-së”, tha zoti Elmas.

Bursat AMC mbulojnë të gjithë periudhën e studimeve universitare, nëse studentët vazhdojnë me rezultate të shkëlqyera akademike. AMC ka mbështetur vit pas viti shumë nga studentët e përfshirë në program, pasi kanë ruajtur rezultatet e mira. Të gjithë këtyre studentëve u ofrohen mundësi internship-i dhe punësimi në kompani.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit