

"Retë e sotme nacionaliste në qiellin shqiptar, fatmirësisht ende jo në Kuvend, nuk prodhohen vetëm nga pasionet e vjetra, por edhe nga motivet e reja elektorale. Ishin këto motive që i detyruan punonjësit e disa institucioneve shtetërore të protestojnë, duke i grumbulluar me lista detyruese, në mënyrë të çuditshme dhe të panevojshme, para ambasadës së një vendi fqinj. Këtë unë nuk mund ta quaj as patriotizëm, as nacionalizëm"…
Nga Kosta Barka
Ka disa kohë që në vendin tonë janë shfaqur disa re nacionaliste. Menjëherë pas tyre, në horizontin politik u shfaq një rezolutë, e cila po trazon jo thjesht ndërgjegjen tonë politike, por vetëdijen dhe emocionet e qytetarëve shqiptarë. Hartimi dhe prezantimi në mjediset politike i kësaj rezolute, e cila për fat të mirë nuk ka gjetur akoma shtegun për në Kuvendin e Shqipërisë, shkon ndesh me strategjinë kombëtare të vendit, si edhe me vizionin kombëtar për t’u bërë pjesë e familjes së kombeve dhe qytetarëve europianë. Shqipëria, mjediset politike, institucionale, diplomatike dhe qytetare, po gjenden para një retorike nacionaliste, në mënyrë jo krejt të papritur. Kjo retorikë, rrënjët dhe motivet e së cilës nuk është e vështirë të konstatohen, nuk cenon vetëm objektivin të cilit i drejtohet, por parimin e Europës së Bashkuar për fqinjësi të mirë. Me këtë retorikë, më vjen shumë keq që e them publikisht, nuk mund të shkojmë në Europë. Dhe në vend që ta lehtësonim pozitën tonë para institucioneve europiane, e rëndojmë atë më keq, duke hapur plagë të vjetra, të cilat më mirë do të ishte t’ia linim kohës dhe historisë. Në Europë nuk shkohet me kujtesën dhe fiksimet e së kaluarës, me shenja të rrezikshme etnocentriste, por me aspiratat e së ardhmes. Fakti që disa dhjetëra apo edhe qindra qytetarë shqiptarë kanë probleme individuale pronësore me Greqinë, nuk do të thotë se problemet e tyre individuale të shndërrohen në një çështje politike e shtetërore. Ky episod, i krijuar prej grindavecësh nacionalistë, apo të kauzave të tjera jashtë kohe, mund të cenojë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, si edhe marrëdhëniet e vendit tonë me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Në vend që të bëhemi europianë të emancipuar dhe t’i zgjidhim çështjet civile e pronësore me mekanizmat ligjore, në bazë të standardeve europiane, bëjmë të kundërtën: i tregojmë Europës se ne, për çdo çështje e problem që kemi, do të kërkojmë patjetër implikime të marrëdhënieve ndërshtetërore, grindje, insinuata, sulme mediatike e mbrojtje diplomatike, tërheqje pas sulmeve të panevojshme, të cilat si zakonisht, në këtë fshat të botës përfundojnë me ndërhyrje të ndërkombëtarëve. A nuk mund të jemi më të qetë ne, popujt e Ballkanit, dhe a nuk mund të kontribuojmë më shumë për këtë qetësim ne, shqiptarët? Retë e sotme nacionaliste në qiellin shqiptar, fatmirësisht ende jo në Kuvend, nuk prodhohen vetëm nga pasionet e vjetra, por edhe nga motivet e reja elektorale. Ishin këto motive që i detyruan punonjësit e disa institucioneve shtetërore të protestojnë, duke i grumbulluar me lista detyruese, në mënyrë të çuditshme dhe të panevojshme, para ambasadës së një vendi fqinj. Këtë unë nuk mund ta quaj as patriotizëm, as nacionalizëm. Këto veprime e kanë emrin patrio-nalizëm për bukën e gojës. Le të mos i përdorim nëpunësit korrektë shtetërorë as për të vënë në grindje popujt, as për të grumbulluar vota. Le të marrim secili votat që meritojmë, pa u fshehur pas praktikave të vjetra ballkanase dhe provinciale. Në një rajon normal, një situatë e tillë mund të kishte prodhuar incidente diplomatike dhe shtetërore. Si mundet që nëpunësit publikë të një vendi të grumbullohen për të përfolur e akuzuar qeverinë e një vendi mik? Kësaj pyetjeje duhet t’i japin përgjigje organizatorët. Ndërsa me pretendime të tilla për gjasme gjenocid etj. ekspozon keqseriozitetin e Parlamentit dhe politikën e jashtme të vendit tonë, për arsye se nuk plotësojnë asnjë kriter e standard për të qenë të tilla. Ne i kemi parasysh raportet e krijuara midis Turqisë dhe Armenisë. Kjo e fundit, vështirësohet të fitojë njohjen si gjenocid zhdukjen e milionave armenëve, për shkak të kombësisë e besimit të tyre. Shtytësit dhe frymëzuesit e këtyre pasioneve dhe veprimeve, jam i bindur që nuk janë të kthjellët për pasojat e tyre. A e mendojnë se shteti ynë do të vihet në pozitë të vështirë nëse edhe pala greke, e detyruar nga kësi logjikash, do të na përgjigjet me të njëjtën monedhë? Nëse vendos të nxjerrë nga arkivat e veta, deri tani të mbyllura e të lëna së kaluarës së kapërcyer, fakte e ngjarje komprometuese faji, e ndoshta edhe krimi, për njerëz e grupe njerëzish, të cilët me këtë rezolutë ne duam t’i shndërrojmë në martirë. Komuniteti grek në Shqipëri, për asnjë moment nuk është kthyer në pengesë për vendin. Përkundrazi, grekët e Shqipërisë janë një kontribuues vlerash në rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane, ku do të ndihemi e jetojmë më mirë të gjithë, shqiptarë e grekë, pa rezoluta të panevojshme, pa re në qiellin e kaltër të miqësisë midis popujve, pa gjyle nëpër këmbë. Duke vështruar jo prapa, por vetëm përpara.
"Panorama"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





