Transmetuar më 14-12-2012, 12:50

Tiranë, 14 dhjetor 2012, NOA – Partia Socialiste ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha për mos deklarim të burimit të të ardhurave. Në një deklaratë për mediat, deputeti Taulant Balla tha se në deklarimin e pasurisë, kryeministri nuk ka justifikuar shumën prej 10 milionë lekësh kesh.

“Totalit të përfitimeve dhe kursimeve prej 76 milionë lekësh, në këto kohë krize Berisha i shton edhe 10 milionë lekë kesh, pa asnjë sqarim të hollësishëm se nga ku është siguruar kjo e ardhur. Kryeministri nuk ka specifikuar as emërtimin e organizatës, pasurisë apo forumit nga është marrë ky 10 milionësh kesh të ardhurash”, tha Balla.

Duke ju referuar dokumenteve të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, (ILDKP) Balla ka deklaruar se në dokumentin e firmosur nga kryeministri mungojnë dhe detaje të tjera. “Bazuar në deklaratën e interesave private vjetore, dorëzuar në Inspektoratin e Pasurive firmosur nga Berisha, ajo që bie në sy është mungesa e respektimit të ligjit. Berisha deklaron se ka përfiton nga dietat një shumë prej 720, po nuk thotë nëse është euro, dollarë, apo tjetër”, tha Balla.

Deputeti i PS-së u shpreh se gjatë ditëve në vijim do të ketë denoncime të tjera nga selia rozë për pasuritë e zyrtarëve të lartë dhe familjarëve të tyre.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit