Transmetuar më 14-12-2012, 12:55

Tiranë, 14 Dhjetor 2012 NOA.al – Konferenca mbi Bashkëpunimin për Sigurinë në BallkaninPerëndimor e zhvilluar sot në Tiranë, ashtu sikurse e pranoi dhe z.Arvizu,“vjen në kohën e duhur, ndërsa vendet në rajon, dhe veçanërisht Shqipëria, përballen me sfidat në përpjekjet e tyre në përshpejtimin e shtigjeve më të mëdha Euro-Atlantike dhe në forcimin e marrëdhënieve me njëri-tjetrin”. Duke folur në këtë konferencë për sigurinë, të gjithë fjalimin, ambasadori amerikan në Shqipëri e përqendroi tek deklaratat e politikanëve kohët e fundit në kuadrin edhe të 100 vjetorit të Pavarësisë. Fare hapur, z.Arvizu kritikoi fort kryeministrin Berisha lidhur me ato që i cilësoi retorika nacionaliste, duke paralajmëruar se SHBA-të janë shumë të ndjeshme dhe qartësisht kundër ndryshimit të kufijve. Deklaratat e z.Arvizu vijnë pak ditë pasi kryeministri deklaroi në Tiranë se aktualisht nuk është në interesin e shqiptarëve ndryshimi i kufijve, duke lënë të kuptojë se kjo vlen vetëm për një periudhë të kufizuar, gjithsesi pa afat.

SHBA-të, pranë vetëm nëse u bindemi

Arvizu tha se ndonëse mjedisi aktual i sigurisë ndryshon në mënyra të rëndësishme prej 1912-ës, drejtuesit shqiptarë dhe të tjerë drejtues ballkanikë ende kanë nevojë të përkufizojnë marrëdhëniet e vendeve të tyre me fqinjët përkatës dhe më gjerë më bashkësinë europiane.  Sikurse në të shkuarën, tha ai, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme t’ju ndihmojnë në këtë proces, duke shtuar: “Por, le të jemi shumë të qartë: udhëheqja dhe vizioni në fund të fundit duhet të vijnë prej Shqipërisë dhe vendeve fqinje të saj, veçanërisht prej drejtuesve të zgjedhur”. Dhe këtu ai përmendi atë që tha muajin e kaluar, Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Gordon kur iu drejtua Këshillit të Atlantikut gjatë festimeve të 50-të vjetorit të tij në Uashington, D.C.: “Përparimi në këtë rajon varet nga gatishmëria e drejtuesve politikë për të kapërcyer gjërat që i dallojnë, nacionalizmin e ngushtë”.

Duke u ndalur këtu z.Arvizu tha se “disa aktorë shqetësues ose veprime të pavenda të ndërmarra për përfitim afatshkurtër politik, mund të çrregullojnë rajonin dhe të trazojnë tensione etnike ose fetare mes kufijve”. Arvizu paralajmëroi se “rishtazi, Shtetet e Bashkuara kanë vënë re një rritje të pavend në reteorikën nacionaliste këtu në Shqipëri, veçanërisht në javët që çuan drejt festimeve të 100 vjetorit dhe pasuan më tej. Kjo reteorikë kontraston dukshëm me rolin e përgjithshëm pozitiv që Shqipëria ka luajtur tradicionalisht në rajon, sidomos me popullsinë etnike shqiptare”.

Këtu Arvizu u tregua goxha kritik kur tha: “Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë”.

Duke mos e përmendur asnjëherë në emër z.Berisha, Arvizu gjithsesi ishte i qartë në mesazhe direkt për të kur tha: “Reteorika dhe veprimet nacionaliste, përveçse mund të destabilizojnë potencialisht rajonin, e dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë. Për shkak të deklaratave dhe pohimeve të ndryshme të debatueshme, të bëra në prag të festimeve të 100 vjetorit, dy vende fqinje anuluan pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike. Kjo mund të duket si një pasojë e vogël, për disa ndoshta si ato shënimet në fund të faqes, por është diçka që frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bashkëpunimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet shumë më e vështirë. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, i kushtojmë vëmendje kësaj”, – tha z.Arvizu.

Në këtë pikë ai përmendi dhe një incident: “Kërcënimet e kohëve të fundit ndaj pakicës maqedonase në Liqenas nga disa individë të drejtuar gabimisht, është tërësisht e papranueshme dhe duhet të refuzohet kategorikisht prej të gjithë shqiptarëve”.

Referendum për bashkim, SHBA kundër

Arvizu paralajmëroi edhe se “thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit Euro-Atlantik të vendit, dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale, dhe lëvizjen drejt integrimit europian. Më lejoni të jem i qartë si kristali, absolutisht i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, është kundërproduktive dhe destabilizuese”.

Partitë të bëjnë atë që thonë

Është dukshëm e qartë se SHBA-të janë të shqetësuara nga kujtesa që është sjellë në vëmendje nga politika shqiptare dhe sidomos kryeministri, lidhur me kombin e copëtuasr nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Arvizu tha se partitë duhet të bëjnë ato që thonë.

“Partitë politike dhe drejtuesit duhet të përqendrohen në atë që ata thonë se është e rëndësishme: integrimi Euro-Atlantik. Fjala për një “Shqipëri të Madhe” të rreme është një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot, dhe votuesit nuk duhet të bien pré e kësaj. Dialogu politik i Shqipërisë duhet të përmbajë një spektër zërash, por zëra që shprehin ide konstruktive për t’i sjellë së bashku njerëzit”.

Akuzë për përdorim të ngushtë politik

Ndonëse sërish nuk e përmendi në emër z.Berisha, ambasadori akuzoi se deklaratat për bashkim kombëtar janë thjesht një përdorim politik: “Duke parë rolin pozitiv që Qeveria e Shqipërisë ka luajtur tradicionalisht në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, nxisim drejtuesit e saj që të jenë të qartë në këtë element. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të dërguar mesazhe të përziera”.

Berisha të dalë para publikut

Dhe në vijim, erdhi edhe kërkesa direkte e SHBA-ve: “Gjithashtu, kërkojmë që politikanët dhe drejtuesit politikë të Shqipërisë nga i gjithë spektri, të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të përcjellë mesazhe të përgjegjshme ndaj të gjithë shqiptarëve”.

E thënë troç, SHBA kërkojnë që Berisha të dalë para publikut dhe të shprehë të kundërtëtn e atyre që kishte deklaruar deri dje.

Një shekull ka sjellë përfitime për vendin

Arvizu tha se historia e kohëve të fundit tregon se nacionalizmi është ende një forcë e fuqishme në Ballkan. Kurse duke përmendur se një shekull më parë Shqipëria ka qenë e varfër dhe e sulmuar nga armiq, tha: “Çfarë ndryshimi ka sjellë një shekull. Shqipëria ka fituar respektin dhe admirimin anembanë globit. Shqiptarët jetojnë brenda kufijve të sigurtë; ata nuk ndihen më të kërcënuar prej armiqve të jashtëm. Kosova është tani një shtet sovran, i pavarur dhe i lirë. Dhe në rrjedhën e 100 viteve të shkuar asnjë vend në botë nuk e ka treguar veten që të jetë një mik më konseguent dhe më i qëndrueshëm për popullin shqiptar, sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. a.b/noa.al

Lexoni gjithashtu: Berisha drithëron fqinjët: Kufijtë nuk na intereson t’i ndryshojmë, por tani për tani!

FJALIMI I PLOTE I Z.ARVIZU

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit