Transmetuar më 14-12-2012, 09:48

Tiranë, 14 dhjetor 2012, NOA – Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka folur për herë të parë me tone të qarta dhe të ashpra për lëvizjet dhe deklaratat nacionaliste në Shqipëri.

Ambasadori Aleksandër Arvizu, i pranishëm në konferencën e Këshillit të Atlantikut Verior, tha se SHBA-të nuk mbështesin asnjë ndryshim kufijsh në Ballkan dhe ka bërë apel për uljen e retorikës nacionaliste. Në mënyrë konkrete ai ka përmendur Aleancën Kuq e Zi, duke kërkuar që kjo lëvizje politike të jetë konstruktive.

“Ditët e fundit në Shqipëri ka rritje të pavend të retorikës nacionaliste. Kjo retorikë rrezikon dukshëm rolin pozitiv Shqipëria në rajon. Është e domosdoshme që persona të ndryshëm të përmbahen nga ndjenjat nacionaliste të cilat mund të destabilizojnë rajonin si dhe dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë” tha Arvizu.

"Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.  Retorika dhe veprimet nacionaliste, përveçse mund të destabilizojnë potencialisht rajonin, e dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë. Për shkak të deklaratave dhe pohimeve të ndryshme të debatueshme, të bëra në prag të festimeve të 100 vjetorit, dy vende fqinje anulluan pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike. Kjo mund të duket si një pasojë e vogël, për disa ndoshta si ato shënimet në fund të faqes, por është diçka që frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bashkëpunimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet shumë më e vështirë. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, i kushtojmë vëmendje kësaj".

a.k/noa.al

LEXONI FJALIMIN E PLOTE TE Z.ARVIZU

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit