Transmetuar më 13-12-2012, 11:40

Tiranë, 13 dhjetor 2012, NOA- Në seancën e sotme parlamentare ku po diskutohet projektligji “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes" dhe disa ndryshime në ligjin “Për përgjimin e komunikimeve”, deputeti socialist Taulant Balla deklaroi se Ministria e Mbrojtjes nuk bën transparencë dhe pengon kontrollin parlamentar.

Në vijim ai tha se kjo ministri përgjon opozitën dhe përfaqësitë diplomatike në vendin tonë, ku theksoi se këto përgjime bëhen nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami me bekimin e Kryeministrit Sali Berisha.

“Projektligji është një përpjekje e Arben Imamit për të fshehur urdhrat, nga dy çështje që janë përgjimi i opozitës dhe ambasadorëve, por edhe armatimi antikushtetues i shërbimit informativ. Shërbimi Informativ Ushtarak duhet hetuar para se të ndryshojë ligji, ky institucion edhe sot përgjon Partinë Socialiste por edhe ambasadat”, deklaroi Balla citon noa.al.

Nga ana e tij Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se nëpërmjet këtij ligji Kuvendi ka të drejtë eksesit mbi të dhënat e klasifikuara, ndërsa referuar akuzave të Ballës ai i cilësoi si shpifje ku theksoi se nuk janë bërë dhe as do të bëhen përgjime, pasi SHIU vepron në fushën e interesit të vetë.

Sipas tij misioni i agjencisë është mbështetja e Forcave të Armatosura dhe se funksioni i saj është analizimi i informacioneve që kërcënojnë tërësinë territoriale apo Forcat e Armatosura brenda apo jashtë vendit.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit