Transmetuar më 12-12-2012, 13:21

Dështimi në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë është pa dyshim, lajmi më i pikëlluar, fill pas kremtimit të bujshëm të 100-vjetorit të pavarësisë. Madje mendoj se hidhësinë e këtij lajmi nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë si e sa duhet, përmes stilit të thatë burokratik, me të cilin Këshilli i Ministrave të BE paraqiti konkluzionet.

Nga Agron Tufa

Është një histori me shumë palë dhe aktorë cinikë e hileqarë, që na u shpërfaq me tërë fushën e “vijave të forcës” që u dominua. Dhe le ta themi copë: duket se pala që u mundua ta “prishë festën” ia doli me sukses. Veçse “festa” që duhej të ishte e shqiptarëve, është monopolizuar, apo më saktë, është shndërruar në një peng ngazëllues në duart e një pale politike, kaq qartë të dukshme, sa të vjen turp e fyerje njëherësh. Ajo që duhet të ishte interesi i të gjithë shqiptarëve, dështoi: Partia socialiste dhe kryetari i saj fërkojnë duart. Kanë të drejtë: ëndrra e tyre u përmbush. Kush nuk e di tashmë që thelbi i pritshëm i dështimit të statusit ishin tri pikat e papërmbushura të kritereve… Në formulimin e përgjigjes së KM të BE thuhen dhe gjëra të tjera që nuk kanë lidhje të domosdoshme dhe, konkretisht, janë dukuri të përgjithshme negative, ndër të cilat janë tri: korrupsioni, reforma në drejtësi dhe minoritetet. Që të tria këto plagë janë konstante në të gjitha shtetet jo vetëm të vendeve me status kandidati, por edhe të shteteve anëtare të BE, madje edhe të shteteve-bërthamë të Unionit. Të flasësh për korrupsionin, trafiqet ilegale apo rrjetet në lidhje vetëm me Shqipërinë, nuk ke thënë asgjë. Jo se nuk janë reale, porse reale të tilla nuk janë fenomene që sillen në një qark të mbyllur vetëm shqiptar, pa llogaritur rrugët, destinacionet, krejt zinxhirin nga Azia e kryq e tërthor Europës. Është po e njëjta gjë edhe për Drejtësinë, ndërsa për “tonet nacionaliste” gjatë festimit dhe gjendjen e të drejtat e minoriteteve – kjo garniturë kaq vulgare e kaq artificiale është veçse pasojë e shtërzimit për të sajuar sidokudo një farë efekti iluziv. Sepse i bie, p.sh., që BE-në nuk e shqetësuaka aspak nacionalizmi e minoritetet e Greqisë, Serbisë apo Spanjës! Është e qartë se prodhimi i sa më shumë problemeve do ta “sfumonte” lakuriqësinë e mospërmbushjes së tri prej dymbëdhjetë kritereve të statusit. Raportuesit e BE e mbyllin tekstin e tyre duke bërë thirrje për përmbushjen e 12 kritereve, standardet e zgjedhjeve (çka do të thotë se tentativa tjetër për statusin do të jetë jo më para zgjedhjeve), reforma në pavarësinë e institucioneve etj. Por tashmë dihet mirë, nisur nga përvoja e dështimit të sotëm, se plotësimi i këtyre kritereve nuk ka për t’u përmbushur kurrë, përderisa çështja e interesit qytetar e shoqëror të shqiptarëve të vazhdojë të mbetet peng në duart e opozitës – kësaj radhe pa asnjë argument, pa asnjë alternativë, pa asnjë alibi. Thjesht e turpshme dhe e tmerrshme! Nuk dua që lexuesit hipotetikë paragjykues (paragjykimin në vendin tonë e kemi të vetmen gjë “gratis”) t’i paraqes apo të ndikoj në paraqitjen e gjërave bardhezi. Nuk e di si janë ndjerë shumica e qytetarëve tanë përballë lajmit të dështimit të statusit. Por unë besoj në ata qytetarë (qofshin ata të botëkuptimeve të majta, të djathta apo pa ndonjë botëkuptim politik të caktuar), të cilët ndiejnë përçmim apo sadopak antipati që njëra nga palët politike e kishte në dorë të vendoste mbi perspektivën e tij sociale (dhe të të gjithëve), por thjesht e përdori këtë vullnet në të kundërt, për qëllime më “madhore”, vetjake apo klanore. Lideri i socialistëve, Edi Rama, nuk e fshehu cinizmin kur tha se “statusin Shqipëria do ta marrë pas zgjedhjeve”, duke aluduar kështu, se gjoja, “pas zgjedhjeve”, partia e tij do të vijë në pushtet. E nëse jo? Atëherë inati do të jetë më i madh dhe përsëri tri kriteret, ose tri ligjet i ka në dorë: nuk do t’i votojnë kurrë. Ja pra se si shndërrohet lufta e pistë politike nga luftë sallash, mediash, foltoresh, turresh, studiosh e koniunkturash të tjera kombëtare e ndërkombëtare – në shantazhe, bllokime dhe marrje pengjesh. Pra një lloj lufte terroriste pengmarrëse. Vetëm se në këtë kryqëzim të dendur zjarri politik, nuk jam unë e ti, as një grup apo një komunitet i marrë peng. Në këtë situatë mllefi e mizerjeje të trashëguar me dekada, hapet një traditë e shpifur e thelbit vetëshkatërrues të mendësisë bajraktariste, thelbi smirëzi, xheloz, makut e paskrupullt, që është gati ta mbajë peng të egoizmit paranojak gjithë shoqërinë shqiptare. Është e vjetër kjo mendësi dhe e kemi parë në shumë shfaqje të historisë. Por formën e saj më të shëmtuar pengmarrëse e ndiejmë qartazi sot me të gjitha tiparet e trashëgimisë komuniste, të rifreskuar në rastin më ideal: mbajtja peng. Demonstrativisht. Tek e fundit, kështu e kishte mbajtur peng edhe Enver Hoxha gjithë popullin tonë për 45 vjet. Kur primitivizmi i urrejtjes dhe egoizmit mbërrin deri në këtë pikë sa të prekë të vërteta idiomatike si te proverbi “për inat të sime re, futsha gjallë tim bir në dhé”, atëherë duhet, duhet megjithatë, diç ndëshkuese… Nëse nuk e kemi në dorë ta ndryshojmë gjendjen dhe për shumë arsye të mos mundemi t’i ndëshkojmë me votë, atëherë së paku duhet të mos e harrojmë ditën e djeshme: gëzimin e ligë në fytyrën dhe shprehjet e liderit socialist, festën e opozitës për fitoren e parë… mbi kurrizin e shqiptarëve. Dhe, në akord me këtë kujtesë, ta kesh nivelin e neverisë në lartësinë e detyrës.

(Gazeta Panorama)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit