

Bruksel, 11 dhjetor 2012, NOA- Ashtu siç ishte sinjalizuar Bashkimi Europian duket se nuk do i japë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, ndërsa në përfundimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së që pritet të miratohen sot, thuhet se statusi do të jepet kur të jenë përmbushur tre reformat e kërkuara.
Në vijim theksohet se mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin pa probleme të institucioneve demokratike të vendit, ku Shqipërisë i bëhet thirrje që të shmangë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Kujtojmë këtu se përveç plotësimit jo të plotë të 12 kritereve të kërkuara në vitin 2010, nuk janë miratuar as tre ligjet e kërkuara nga KE në muajin tetor, lidhur me ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjin e nëpunësit civil dhe reformën parlamentare.
Në përfundimet e Këshillit për Shqipërinë të cilat pritet të miratohen gjatë takimit të ministrave të BE siç raporton “Zëri i Amerikës” thuhet se “Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me qëllimin që të vendosë për dhënien e statusit kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë sa më shpejt të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla”.
Sipas Këshillit, mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin pa probleme të institucioneve demokratike të vendit. Dialogu i qëndrueshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në të gjithë fushat e përfshira në prioritetet kyçe do të mbeten thelbësore në zbatimin e reformave të nevojshme për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat me BE-në do të jetë i nevojshëm zbatimi i qëndrueshëm i reformave dhe përmbushja e të gjitha kritereve kyçe. Siç është përshkruar në rekomandimin e Komisionit, "Këshilli bën thirrje për fokus të veçantë mbi: zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare ; përforcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore ; përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale, me qëllim ndërtimin e gjurmëve të forta të provave ; masat efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, përfshirë në fushën e minoriteteve, dhe trajtimin e barabartë të tyre; dhe zbatimin e të drejtës së pronës”, thuhet në përfundimet që pritet të miratohen sot nga Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





