




Tiranë, 10 dhjetor 2012, NOA- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas një hetimi intensiv disa mujor ka arrestuar një oficer policie, i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim të detyrës.
Në një deklaratë për median, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Leonard Olli informoi se në pranga ka përfunduar punonjësi i policisë, Nënkomisar Eduart Çelmeta, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Aeroporti Rinas.
“I arrestuari Çelmeta, në mënyrë të vazhdueshme, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare, në shuma që varijojnë nga 400 deri në 500€, ka lejuar kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në aeroportin e Rinasit, të shtetasve të ndryshëm”, theksoi ai.
Për të arrestuarin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.
Sakaq, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, i Ministrisë së Brendshme po vijon veprime të tjera hetimore, për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





