Transmetuar më 10-12-2012, 19:57

Ndaj kryeministrit është bërë një puç ose komplot në përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti. Kështu pretendon kryeministri Sali Berisha i cili ditën e hënë ka dalë para deputetëve të grupit parlamentar të PD duke u rrëfyer atë që ai e cilësoi si “Darka e Gabuar”.

“Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës”, – tregoi shefi i qeverisë.

Kurse duke iu drejtuar mediave që filmuan të plotë këtë rrëfim, u tha: “Sa për mediat, edhe për këtë pjesë që ishte pothuajse tërësisht private, ju e morët vesh. Ju falënderoj”.

Më tej, Berisha detajoi atë darkë në “Rozafa”: “Darka së pari filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i kësaj teze ishte përzgjedhur nënkryetari i gjithëfuqishëm i PS-së, Koço Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes ishin Edi Rama, Spartak Ngjela. Ndërkohë një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu. Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz”.

Në këtë pikë z.Berisha vazhdoi: “Edi Rama bëri gjithçka për të lartësuar Enver Hoxhën dhe, natyrisht, për të nxirë figurën e Sali Berishës, muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, të cilit nuk po ia përmend emrin se nuk dihet si e marrin, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen. Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre. Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë”.

“Të gjitha këto i thashë, – vazhdoi Berisha, – jo se kanë ndonjë vlerë të madhe, por sepse ka një ofendim në këtë drejtim. Edi Rama do të kishte bërë mirë t’u kishte kërkuar të falur shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, për të gjitha barbaritë, mizoritë që kreu ndaj shqiptarëve diktatori stalinist dhe bllokmenët e tij hoxhistë. Duhet ta bënte këtë gjë, të paraqiste një lloj ndjese. Nuk them ndjesë për veten, sepse ai vetë nuk ka qenë direkt i përfshirë. Megjithëse më duhet t’u them edhe një gjë. Kur unë e kërkova Ramën dikur, për t’u bërë deputet, ai nuk erdhi dhe ktheu përgjigje për jo. Por zgjedhja ishte e tij.

Duke theksuar se në këtë vit të 100 vjetorit, priste që z.Rama të kërkonte ndjesë, Berisha vazhdoi:

“Edhe pse nuk ia thashë këtë përgjatë një viti të jubileut, sepse mendova se ai do të kishte një shtysë edhe për të përgënjeshtruar atë që unë i them shpesh, “neobllokmen”. Në fakt, ata që ishin në “darkën gjysmë të gabuar” i shtruan pyetjen se si kishte mundësi që edhe ai të ketë nostalgji për Enver Hoxhën. Por ai u tha se Enveri bëri shtet serioz. Pra, diktatura, sipas tyre, ishte diçka serioze, kur realisht diktatura ishte diçka makabre. Kadareja, historinë që përshkruan tek vepra e tij e kishte me të thënë dhe ka përshkruar diçka që nuk e ka përjetuar vetë, sepse nuk ka qenë pjesëmarrës në darkën e gabuar. Por unë uroj që dikush tjetër, që ka qenë tek kjo darkë së fundi, ta përshkruajë atë si “darka gjysmë e gabuar”, për të nxjerrë të gjitha të vërtetat e saj, të cilat ishin të vërteta shumë të hidhura”, – përfundoi z.Berisha. a.b/noa.al

FOTOGALERI – SHIKONI VIDEON: Berisha rrëfen Darkën e Gabuar

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit