

Një rrëfim që kthen kohën prapa për vajzat që bëhen burra, është inskenuar në një shfaqje komedi. Skena e thjeshtë e teatrit “Oda” ka qenë hapësira ku është shfaqur premiera “Burrneshat”, një prodhim i përbashkët i nikoqirit të shfaqjes me teatrin “Blessed Unrest” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekipi prej tetë vetash – aktorë, regjisorë e skenaristëve kosovarë e amerikanë – ka sjellë në kryeqytet rrëfimin e një familjeje ku dy anëtarë janë burrnesha. Ngjarja zhvillohet në një familje moderne shqiptare. I zoti i shtëpisë (Eshref Durmishi) dhe zonja e shtëpisë (Ilire Vinca) janë kryepersonazhë. Aty është edhe Halili (Sora Baek).
Në Amerikë jeton djali i tyre, që është i martuar me një amerikane. Në shtëpi është edhe një vajzë e vogël. Familja pret ardhjen e Hillary Clinton, pasi që Halili një skulptor me profesion, e ka krijuar një shtatore për të.
Në fund Halili del se është burrneshë, pasi që kishte dështuar të martohej me të zotin e shtëpisë. Të njëjtin vendim e merr edhe vajza e vogël, vetëm se arsyeja e saj është financiare. Asaj i duhet të mbajë familjen.
Inskenimi i “Burrneshës” ka mbushur sallën e teatrit dhe ka marrë vlerësim pozitiv, për realizimin e një teme të tillë në zhanrin komedi. Për dramaturgun Arian Krasniqi kjo është një shfaqje e guximshme.
“Ky projekt teatror vetëm sa e profilizon edhe më shumë teatrin ‘Oda’, si një teatër që ka guxim të merret me tema të mëdha dhe të ndjeshme, pa marrë parasysh në cilin zhanër”, ka thënë Krasniqi. “Edhe shfaqja, e zhanrit komedi, komunikoi jashtëzakonisht mirë me publikun”, ka shtuar ai.
“Burrneshat”, e shkruar nga Matt Opatrny (i cili edhe luan në shfaqje) dhe Lirak Çelaj me regji të Jessica Burr dhe Florent Mehmetit, ka bërë që Halili si një burrneshë, të luhet nga Sora Baek, e cila ani pse nuk fliste mirë shqip, ka fituar edhe simpatinë e publikut. Për vetë aktoren, luajtja e rolit të burrneshës ka qenë një nder. “Kemi studiuar shumë për burrneshat dhe jam e fascinuar me atë se çfarë ka ndodhur. E luajtja e këtij roli është nder për mua”, ka thënë ajo fill pas premierës.
Aktorët Jessi Blue, Damen Sranton dhe Liridona Shehu luajnë rolet kryesore të shfaqjes “Burrneshat”, teksa kostumet i ka bërë Vesa Kraja. Për Baek, procesi i luajtjes së këtij roli ka qenë i vështirë, pikërisht për shkak të gjuhës. “Të flasësh shqip ka qenë gjëja më e vështirë për mua edhe pse e kam mësuar përmendësh”, ka thënë ajo. E aktorët kosovarë nuk e kanë pasur të vështirë. Armend Ismajli, që në rol flet anglisht, ka thënë se për të ka qenë më e vështirë të mos e gabojë tekstin, sepse nga ai është varur gjithë suksesi i shfaqjes. Sipas Ismajlit, aktorët amerikanë e kanë mbajtur në mend vetëm fjalën e fundit që e kanë thënë aktorët shqiptarë. “Për shembull fjala ime e fundit mund të ketë qenë ‘shpija’. Nëse do ta thosha “në shtëpi po shkoj’ ata nuk do ta kuptonin”, ka thënë Ismaili. “Por krejt kjo ka qenë edhe lezeti i shfaqjes”, ka shtuar ai.
Për Ismajlin, shfaqja është dashur të ketë më shumë pauza në momentet kur publiku shijonte komedinë.
Për dramaturgun Krasniqi, “Burrneshat” erdhi interesante për nga koncepti, ideja dhe tematika që ngërthen. “Një rrëfim që qet në pah marrëdhëniet e traditës së moçme shqiptare si dhe raportet me ‘botën’ e largët por edhe me njerëzit e huaj që punojnë në Kosovë”, ka thënë ai.
Për skenaristin Matt Opatrny, ideja e realizimit të një shfaqjeje të tillë ka qenë pikërisht veçantia e temës. Ai e ka cilësuar të mrekullueshme, faktin që shqiptarët në traditën e tyre kanë një kulturë të atillë saqë ndërrimin e gjinisë e kanë parë normale qysh para shumë dekadash. Ndërsa roli i një ushtari të lazdruar amerikan që abuzon detyrën, për Matt Opatrny ka qenë një përvojë interesante. “Ishte një rol tipik i ushtarëve amerikanë kudo në botë”, ka thënë ai. Për regjisorin Florent Mehmeti, arsyeja e vendosjes së amerikanëve në role shqiptare ka të bëjë me shkëmbimin artistik midis teatrit “Oda” dhe atij amerikan. E njëjta praktikë ishte ndjekur edhe me rastin e shfaqjes së vitit 2008 “Doruntina” kur rolin e saj e kishte luajtur një aktore amerikane. Sipas tij, ani pse aktorja që luante rolin e burrneshës Halil kishte probleme me gjuhën, kjo nuk është një gjë që e prish shfaqjen. “Për mua ka qenë shumë me rëndësi ta shoh se si do të gjendet në këtë rol. Nuk kemi pretendime me e gënjye publikun se ajo është shqiptare”, ka thënë Mehmeti. E për skenaristin tjetër të kësaj shfaqjeje, Lirak Çelaj, shfaqja i ka qëndruar skenarit që siç e cilëson ai, ka shpërfaqur një veçanti të traditës shqiptare.
“Kur kemi folur me ekipin amerikan, ata na kanë thënë se as në Amerikë nuk do t’i pranonin kaq mirë femrat që bëhen burra”, ka thënë Çelaj. “Shfaqja ani pse e hendikepuar me gjuhën shqipe, nuk ia ka prishur lezetin shfaqjes”, ka thënë ai.
Repriza e parë e shfaqjes është dhënë edhe të shtunën, teksa ditëve të tjera do të jepet në disa qytete në Kosovës, si në Gjakovë e Gjilan, për të udhëtuar më pas në Tiranë e Shkup. Shfaqja do të rikthehet në “Oda” nga gjysma e dhjetorit. E dhjetori do të jetë krejt “jeta” e kësaj shfaqjeje pasi ekipi do të shpërndahet.
VIDEO: Burrneshat e Kosovës vijnë në Tiranë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





