Transmetuar më 08-12-2012, 21:26

Tiranë, 8 dhjetor 2012, NOA- Sipas MeteoAlb, që në orët e para të mëngjesit të së dielës, vranësirat dhe reshjet e shiut dhe dëborës do të jenë dominuese.

Por më të theksuara në zonat jugore dhe juglindore të territorit.

Pjesa e dyte e ditës do të sjellë përmirësim të motit në zonat e ulëta dhe bregdetare duke lënë me vranësira dhe reshje të pakta dëbore, zonat malore përgjatë kufirit lindor.

Gjatë natës parashikohet që vranësirat dhe reshjet të largohen nga i gjithë vendi.

Temperaturat e ajrit gjatë mëngjesit do të pësojnë rënie vetëm në zonat malore, ndërsa mesdita do të sjellë një rënie të lehtë në të gjithë vendin.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi verior dhe verilindor, për pasojë dallgëzimi në brigjet detare do të jetë 4 ballë.

Europa

Gjatë ditës vranësirat dhe reshjet e dendura të shiut dhe dëborës do të dominojnë Europën Veriore dhe vendet e Balltikut, situatë kjo e ndikuar si pasojë e prezencës së qendrave të presionit të ulët atmosferik si dhe zhvendosjes së dy fronteve të ftohtë atmosferik mbi këto rajone.

Po ashtu Ishujt Britanikë dhe një pjesë e Europës Qendrore do të kenë vranësira dhe reshje dëbore, kryesisht Gjermania.

Reshje dëbore dhe temperatura të ulëta do të përjetojë Europa Juglindore dhe gadishulli i Ballkanit.

Ndërsa me mot të qëndrueshëm paraqiten Europa Jugperëndimore, një pjesë e Mesdheut dhe Lindja e kontinentit.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit