

Të hënën në Bruksel do të mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të jepen sugjerimet për vendet e Evropës Juglindore. Ministrat do të flasin edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Shqipërisë nuk do t’i jepet statusi, bën të ditur EurActiv, portali i Bashkimit Europian, duke cituar burime diplomatike.
Sipas këtyre burimeve, në samitin e 13 dhe 14 dhjetorit të BE-së, i cili do të mbahet në Bruksel Shqipërisë nuk do t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në këtë organizëm. Burimet diplomatike të cituara nga portali EuroAktiv kanë shtuar se "të paktën një vend (Holanda) është shprehimisht kundër", ndonëse Komisioni Evropian ka sugjeruar në tetor që Shqipërisë t’i jepet ky status.
Sipas këtyre burimeve, Shqipëria duhet të bëjë më shumë për plotësimin e 12 kushteve të cilat i ka paraqitur Komisioni Evropian në raportin e tij në tetor. Mangësi ka në veçanti në sistemin zgjedhor të Shqipërisë. Mënjanimi i mangësive është shumë i rëndësishëm, sepse zgjedhjet parlamentare në këtë vend do të mbahen vitin e ardhshëm. Diplomatët në Bruksel thonë se ata së pari duan që të binden se procesi zgjedhor dhe zgjedhjet kanë kaluar si duhet e më pas do të japin dritën jeshile për vazhdimin e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Edhe Serbisë vetëm drita e verdhë
Në takimin e ministrave të jashtëm, i cili zhvillohet të hënën dhe ka për qëllim përgatitjen e samitit që fillon tre ditë më vonë, një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet edhe raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe shefja e diplomacisë evropiane Chaterine Ashton, e cila do të raportojë për rrjedhën e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ministrat me siguri që do t’i japin mirënjohje palëve për rezultatet e arritura në takimet e kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, në veçanti sa i përket gatishmërisë për zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
"Nuk ka fije dyshimi se është shënuar përparim në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit", deklaron për mediat serbe një diplomat perëndimor në kushte anonimiteti. Por ai nuk u përgjigj në pyetjen nëse Serbisë do t’i përcaktohet data konkrete për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Një burim tjetër pohon se Serbisë do t’i dërgohet mesazh inkurajimi ku do të thuhet se "me kënaqësi pritet hapja e negociatave me Serbinë", pasi që ajo te ketë plotësuar kushtet e parapara.
Normalizimi ndihmon edhe Kosovën
Beogradi është i njoftuar me këto kushte, ndaj nuk bëhet fjalë për kushte të reja, tha një burim në Bruksel. Ndër kushtet kryesore është normalizimi i raporteve me Kosovën, që nënkupton edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë. Analistët në Bruksel thonë se Serbia vetëm pjesërisht mund të jetë e kënaqur me një konkludim të tillë, sepse ajo pret caktimin e një date të saktë për fillimin e negociatave.
Burimet diplomatike thonë se normalizimi i raporteve me Serbinë do të ndihmojë edhe Kosovën në procesin e integrimeve evropiane, respektivisht në fillimin e procesit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
EurActiv: BE nuk i jep statusin Shqipërisë
Europarlamentarja Gonc: Për statusin duhet të bindni të gjitha shtetet e BE
VIDEO: Faji mbetet jetim? BE nuk e jep statusin për herë të tretë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





