Transmetuar më 07-12-2012, 17:55

Prishtinë, 7 dhjetor 2012, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Ministri Hoxhaj e informoi ambasadoren Jacobson për progresin në Kosovë, për avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve, anëtarësimin në organizatat rajonale, evropiane e ndërkombëtare si dhe për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës.

Duke folur për proceset integruese të Kosovës, Hoxhaj ka vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për Republikën e Kosovës përkrahja e fuqishme e SHBA-ve në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Hoxhaj, me këtë rast, ka falënderuar popullin dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e dhënë për Kosovën, në të gjitha proceset e deritashme.

Po ashtu, në takim siç raporton noa.al është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe rëndësinë e implementimit të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Nga ana e saj ambasadorja Jacobson, vlerësoi lart progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e fuqishme të administratës amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe për proceset integruese euroatlantike.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit