

Tiranë, 7 dhjetor 2012, NOA – Partia Socialiste ka akuzuar sot qeverinë për situatën e arsimit në vend. Në një deklaratë për mediat, anëtarja e grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito u shpreh se arsimi ndodhet në gjendje më të keqe sesa në vitin 2005.
“Sapo e la Shqipërinë më keq se ç’e gjeti edhe në klasifikimin e Transparencës Ndërkombëtare për korrupsionin, kryeministri doli sot për t’u mburrur për progresin në arsim. Por edhe arsimin kjo qeveri po e le më keq se ç’e gjeti. Nga 10% katër vjet më parë analfabetizmi ka shkuar në 15% lavdi kësaj qeverie”, tha ajo.
Harito shtoi se “15 vjeçarët e sotëm të Shqipërisë në testin ndërkombëtar për njohuritë e përgjithshme PISA 2011, lavdi kësaj qeverie u renditën në vendin 62 nga 67 vende”.
Përfaqësuesja e PS-së u shpreh se buxheti i këtij viti për arsimin është 48 për qind më pak se buxheti i 4 viteve më parë. “Kryeministri mburret se ka katërfishuar numrin e studentëve, por buxheti për arsimin e lartë për vitin e ardhshëm ka rënë 35% më pak se buxheti i katër viteve më parë. Kryeministri pretendon për cilësi në arsim, por buxheti i qeverisë së tij për shkencën dhe kërkimin është sot 48% më pak se buxheti i katër viteve më parë”, tha Harito.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





