

Për një kohë të gjatë kam qenë pjesë e trupës së prokurorëve dhe jam në dijeni të rasteve dhe situatave kur disa prokurorë në vend që të punojnë për të luftuar krimin e korrupsionin bëhen palë me të duke luajtur më shumë rolin e avokatit sesa të prokurorit
Nga Adriatik Llalla
Kryetar i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, dekretuar si Prokuror i Përgjithshëm
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përballet sot me disa sfida të rëndësishme, ndër të cilat veçoj rritjen e besimit të publikut ndaj këtij institucioni, si një ndër organet kryesore përgjegjëse për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë në arritjen e këtij objektivi, veçanërisht duke iu referuar gjendjes aktuale, por kam besim se është një objektiv tërësisht i realizueshëm.
Natyrisht, për të pasur sukses në këtë sfidë prioritare është lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda institucionit të akuzës. Ky do të jetë një hap i parë dhe më i rëndësishëm që do të jap për forcimin e besimit të publikut në lidhje me aktivitetin e Prokurorisë.
Për një kohë të gjatë kam qenë pjesë e trupës së prokurorëve dhe jam në dijeni të rasteve dhe situatave kur disa prokurorë në vend që të punojnë për të luftuar krimin e korrupsionin bëhen palë me të duke luajtur më shumë rolin e avokatit sesa të prokurorit. Por ju garantoj se këta janë pak, madje shumë pak dhe të njohur nga trupa e prokurorëve dhe e qytetarëve dhe pse është krijuar perceptimi sikur kjo kategori përbëjnë shumicën.
Në fakt është e kundërta, pjesa më e madhe e prokurorëve janë njerëz me dinjitet dhe integritet të lartë moral e profesional, të cilët përditë përballen me vështirësi të mëdha përballë krimit dhe korrupsionit. Janë njerëz të devotshëm, janë njerëz të përkushtuar dhe janë pikërisht këta që pësojnë opinionin jo pozitiv që ngrihet herë pas here nga publiku për shkak të një pakice prokurorësh që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Këta prokurorë të përkushtuar kanë nevojë për mbështetje dhe motivim dhe kjo është ajo që unë do të bëj, të mbështes prokurorët e ndershëm që pa kompromis përballen me krimin.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Ligji për Prokurorinë e ka të mirëpërcaktuar pavarësinë e institucionit të Prokurorisë në vendimmarrje, por ne nuk duhet të presim që këtë pavarësi të na e japin ata ndaj të cilëve ne duhet të jemi të pavarur, këtë pavarësi na e jep vetëm puna jonë, nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori i merr vendimet vetëm duke u bazuar në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi, është i pavarur nga politika, dhe është i lirë të marrë ç’do vendim që i dikton ligji dhe bindja e brendshme.
Integriteti është arma kryesore në luftën ndaj ç’do varësie, ajo që unë me shumë përulësi do ti ofroj këtij funksioni në shërbim të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë, është përvoja ime, është integriteti im dhe premtimi për të mos bërë pakt me asnjë fenomen të cilin prokurori duhet të luftoj.
***
Bashkëpunimi dhe transparenca janë gjithashtu dy mekanizma të fuqishëm për të luftuar krimin dhe korrupsionin, bashkëpunimi fillon me qytetarët dhe median dhe, natyrisht, shtrihet tek organet e zbatimit të ligjit: tek Policia e Shtetit, Shërbimet Sekrete, Drejtoria e Luftës ndaj Parandalimit të Pastrimit të Parave, Tatimet e Doganat, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ILDKP etj.
Transparenca duhet të mbështetet në marrëdhënien e hapur me publikun, por dhe me institucionet, duke filluar natyrisht me Presidentin e Republikës, Kuvendin, Pushtetin Ekzekutiv dhe çdo organ tjetër që ka lidhje me punën e prokurorit.
Por transparenca nuk duhet të ketë ngatërrohet me rrjedhjen e informacionit, ky fenomen që më shumë se ç’do gjë tjetër dëmton punën e institucioneve dhe besimin e publikut tek institucionet dhe luftës ndaj krimit e korrupsionit. Fenomen ky që jo vetëm nuk do të lejohet por do të goditet me forcën e ligjit.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, është fitimi i besimit që vetë prokurorët duhet të kenë në organin e prokurorisë aty ku ata ushtrojnë detyrën e tyre. Ata duhet të binden puna dhe ndershmëria e tyre përfaqësimi dinjitoz i akuzës në emër të shtetit do të jenë të vetmet kritere që do të ndikojnë në karrierën e tyre.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





