

Tiranë, 5 dhjetor 2012, NOA- Një person, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, është ekstraduar nga Italia.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, informon se ditën e sotme, kreu ekstradimin nga Milano, drejt vendit tonë, të 29-vjeçarit Ermal Xhemil Dauti.
Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Vlorës, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg“ për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike“ parashikuar nga neni 283/a/2, i Kodit Penal.
“Në datën 08.09.2006, rreth orës 23.30, shtetasi Ermal Dauti në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka tentuar të trafikojë me gomone drejt Italisë një sasi prej 154 kg lëndë Kanabis Sativa. Pasi janë ndjekur nga policia ato kanë braktisur gomonen, duke u larguar drejt gadishullit të Karaburunit”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





