

Tiranë, 4 dhjetor 2012, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin e zhvilluar me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, përforcoi angazhimin e PS për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, kreu socialist nënvizoi se vendi përballet me probleme serioze për shkak të defiçitit demokratik, moszbatimit të ligjit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor, raporton noa.al.
Gjithashtu, Rama vuri në dukje domosdoshmërinë e një lufte institucionale për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe në mënyrë të veçantë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si themeli i një demokracie funksionale.
Nga ana e tij, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, duke iu referuar vizitës së Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, konfirmoi dhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për ecurinë e axhendës evropiane të Shqipërisë duke e ndjekur nga afër gjithë procesin.
Sakaq, kreu socialist Rama shprehu kënaqësinë për momentin e rëndësishëm kur po zhvillohet kjo vizitë, ditën e 90-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.
Ai theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA, duke falenderuar njëkohësisht për kontributin e çmuar për konsolidimin e shtetit dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





