

Lëvizja Shqipëria e Re e drejtuar nga Edmond Vlashaj përgëzon Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha për nismën më të re të shtetësisë shqiptare pa kushte për çdo shqiptar që dëshiron ta ketë atë, pavarësisht vend-banimit dhe shtetësisë që mban personalisht. LSHR, duke mbështetur nismën politike të Kryeministrit shqiptar e cila sipas saj duhet të jetë përparësi në Kuvendin e Shqipërisë që nëpërmjet ligjit të përcaktohet njohja pa kushte e shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar kudo që ndodhet, deklaron se kjo filozofi politike gjendet që prej themelimit të LSHR-së në platformën politike të saj, e cila po konsultohet në vazhdimësi me anëtarësinë e saj dhe ka gjetur mbështetje të gjerë ndër ta dhe në opinion mbarë shqiptar. Lëvizja Shqipëria e Re përshëndet këtë mesazh të 100-vjetorit të shtetit shqiptar nga ana Kryeministrit Berisha dhe e mbështet atë si një domosdoshmëri dhe respekt ndaj një të drejte për të cilën kanë luftuar të gjithë patriotët shqiptarë të të gjithë kohërave. LSHR kërkon që ajo të jetë moto politike e çdo partie shqiptare këtej dhe andej kufijve shtetërorë dhe me këtë rast, duke iu referuar platformës së saj politike sugjeron krijimin e “Bankës së të Dhënave”, për çdo shqiptar apo familje shqiptare kudo që ndodhet në të gjitha vendet e botës, shqiptarë të hershëm, emigrantë të rinj apo diasporë tradicionale, etj. Lëvizja Shqipëria e Re i sugjeron Kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha dhe Ministrit të Drejtësisë z. Eduard Halimi që në formulimin e projekt ligjit përkatës, përveç faktit të shtetësisë, të bëjë të mundur që ofrimin e pasaportës shqiptare, ta shoqërojë me mundësi të një seri privilegjesh në investime: ofrimin e një trualli për shtëpi dhe biznes, sidomos në zonat malore në të cilat ka akoma toka shtetërore. LSHR duke besuar se vetëm nga Pasaporta Shqiptare që do t’i jepet çdo shqiptari, shteti shqiptar do të ketë minimalisht rreth 1 miliard euro të ardhura në buxhetin e tij, beson se Shqipëria do të kishte kështu mundësinë e përmbushjes së vizionit për “Fondin e Zhvillimit Mbarëkombëtar”, i cili mund të jetë një mundësi fitimprurës në dobi të fuqizimit të shtetit dhe Kombit Shqiptar. Lëvizja Shqipëria e Re që e ka në platformën e saj politike këtë filozofi racional,e që mesa duket ka gjetur mbështetje edhe nga koalicioni qeveritar aktual me të cilin ndihet pjesë mbështetëse politike, i sugjeron politikës shqiptare ta aktualizojë atë sa më shpejt, duke mos e shtyrë për pas zgjedhjeve të ardhshme të qershorit të 2013-ës. Ky veprim politik, sipas LSHR-së është detyrim kushtetues për shtetin shqiptar dhe detyrim moral për çdo parti politike ndaj bashkëkombësve dhe prosperitetit të Shqipërisë e sigurisht fuqizimit natyral të kombit shqiptar.
Noa.al
Berisha në Vlorë: Ligj për shtetësinë, për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





