Transmetuar më 04-12-2012, 13:32

Tiranë, 4 dhjetor 2012, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se një qeveri e cila ishte në gjendje të krijojë atë imazh përmes kaosit organizativ për një festë si ajo e 100 vjetorit të Pavarësisë, nuk mund të mos jetë në gjendje për një buxhet rrënues si ai i 2013.

Ai tha se lajmi i mirë është se ky është buxheti i fundit i kësaj qeverie që po e lë vendin më keq se ç’e gjeti kur erdhi duke e thelluar dhe zhytur në borxhe, ndaj tha se është koha për një rilindje shqiptare.

Sipas Ramëse papunësia i ka kapërcyer 1 milionë ndryshe nga sa thonë shifrat zyrtare dhe se rrënimi ekonomik është faktuar nga projekt-buxheti i 2013, ndërkohë që shtoi se politikat e PS çojnë në rritje të punësimit.

“Biznesi është thelluar në borxhe dhe çdo investim bëhet përmes borxheve. Politikat kuturu e kanë lënë fshatin pas dore në një kohë që fshati kërkon rimëkëmbje si instrument themelor për të transformuar jetën e familjes në qytet”, deklaroi Rama, citon noa.al.

Kreu i opozitën paralajmëroi se me të ardhur në pushtet gjëja e parë që do të bëjë është ulja e borxhit dhe rritja e fuqisë blerëse.

Kryesocialisti theksoi se sistemi energjetik është përfshirë në një borxh kolosal, dhe se kjo sipas tij është ndoshta sfida më e madhe e Partisë Socialiste për kapërcimin e kësaj situate.

Sa i përket taksave Rama tha se përkundrejt deklaratave të kreut të qeverisë Shqipëria renditet e 160 për sa i përket barrës fiskale dhe lehtësisë së pagimit të taksave, rreth 40 vende më poshtë nga viti 2004.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit