Transmetuar më 04-12-2012, 12:44

Tiranë, 4 dhjetor 2012, NOA/ Arjola Ymeraj-Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Nën zërin e Artan Lames u tha se fjala “dinjitet shtetëror” është një bimë që nuk mbin dot në kopshtin e Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Bujar Nishani.

Ai shtoi se Berisha imponoi Ahmet Zgoun si heroin e shqiptarëve, ndërsa vijoi me fjalët se asnjë nga monumentet nuk u vendos në ndonjë shesh të ri, por në cepat e lulishteve.

“Kulmi i talljeve u arrit me shtatoren e Ismail Qemalit që as nuk denjuan ta ndërtonin por morën atë që ishte në muze dhe e vendosën në cepin e një lulishteje, ashtu si monumenti i pavarësisë që u vu në një cep të pakut Rinia, në një kohë që nuk u ndërtua asnjë shesh i vetëm qoftë dhe po të mbante emrin Sali Berisha”, deklaroi Lame, citon noa.al.

Anëtari socialist kujtoi sërish gjestin e Presidentit Bujar Nishani duke thënë se theu protokollin shtetëror duke lënë një të huaj të mbajë fjalim.

Lame deklaroi se Kryeministri Berisha u zotua se për 100 vjetorin do bënte për këtë jubile bibliotekën e re kombëtare, Parlamentin e ri, obeliskun e të përndjekurve, bustin e Pjetër Arbnorit, muzeun e të përndjekurve në burgun e Spaçit, stadiumin e ri kombëtar, porti i Shëngjinit, ku përmbylli qëndrimin e tij duke theksuar se gjithë premtimet e tij nuk u realizuan.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit