Transmetuar më 04-12-2012, 11:01

Vlorë, 4 dhjetor 2012, NOA- (Update) Në vijim të mbledhjes së qeverisë në Vlorë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se shqiptarët nuk mund të jetojnë ndryshe veçse të bashkuar me njeri tjetrin për bashkim në Europë.

Ai tha se askush nuk mund të mohojë se shqiptarët në një nga padrejtësitë më të mëdha të kohës u copëtuan në 5 shtete, në kundërshtimin më flagrant që përcakton vetë konferenca e Londrës për përcaktimin e kufijve.

“Trojet shqiptare u copëtuan për të shpërblyer ata të cilët kishin krijuar shtet dekada para nesh dhe u vërsulën mbi këtë vend me projekte më ogurzezat. Mjafton të kujtojmë këtu se qeveria e Ismail Qemali dhe vetë ai u detyrua të largohej nga Shqipëria në 1914 se po punonte për bashkimin e trojeve shqiptare”, deklaroi Berisha, citon noa.al.

Kreu i qeverisë tha se Presidenti amerikan Wilson shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, ndërsa theksoi se besimi i madh i shqiptarëve është te projekti europian.

Në vijim Berisha deklaroi se qeveria shqiptare do ndërmarrë ligjin e shtetësisë shqiptare për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, ku tha se asgjë nuk i pengon të mbajnë çfarëdo shtetësie që duan, por kush dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare do e marrë dhe kjo do jetë nisma e këtij 100 vjetori.

Ai kërkoi nga Ministria e Brendshme të marrë masa për mundësinë e aplikimit pasi shtoi se çdo shqiptar kudo ku jeton e meriton shtetësinë shqiptare.

“Kosova mund të vendosë standardin e vet, se është në interesin jetik konsolidimi i Kosovës. Vendimi më kryesor është dorëzimi me përparësi në parlamentin shqiptar i ligjit i cili përcakton njohje pa kushte të shtetësisë shqiptare të çdo shqiptari kudo që ndodhet. Kërkoj mirëkuptim por ky ligj do hyjë në fuqi pas zgjedhjeve”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.

Sipas tij ky përvjetor ishte ideali i bashkimit kombëtar pasi kurrë flamuri nuk u valëvit si në këtë 100 vjetor, ndërsa në këtë kuadër ftoi edhe opozitën që të japë votën për votimin e tre ligjeve.

a.y/noa.al

Berisha në vendin e I.Qemalit: Shqiptarët në lartësinë e 100 vjetorit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit