Transmetuar më 04-12-2012, 10:23

Vlorë, 4 dhjetor 2012, NOA/A.Ymeraj- Ashtu si Ismail Qemali në 4 dhjetor 1912 mblodhi qeverinë e parë pas shpalljes së Pavarësisë, 100 vite më pas Kryeministri Sali Berisha i ulur në të njëjtin vend ka mbledhur sot gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar në shtëpinë muze në Vlorë, vend ku u mbajt mbledhja e parë e qeverisë nga arkitekti i pavarësisë.

Berisha vlerësoi figurën e Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë i zgjedhur nga kuvendi, ndërsa tha se u paraqitën 15 kandidatura për 8 vende dhe këto kandidatura duhet të merrnin më shumë se gjysmën e votave.

Ai tha se u ndanë 8 portofolet, ndërsa Kryeministri dhe zv.Kryeministri Dom Nikoll Kaçorri ishin zgjedhur qysh në mbledhjen e parë.

Ai shprehu mirënjohje për qytetarët e Vlorës për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, ndërsa përshëndeti gjithë mysafirët në gjithë vendet e botës dhe Europës për praninë e tyre në këto festime.

Më tej siç raporton noa.al ai kujtoi gjithë festimet, ndërsa komentoi edhe praninë e asaj që ai e quajti “superstari i skenës, Rita Ora”.

Sipas tij, festimet nga ana e shqiptarëve treguan lartësinë e tyre në këtë 100 vjetor.

Kabineti qeveritar i drejtuar nga Ismail Qemali

Ismail Qemali – Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm

Dom Nikoll Kaçorri – Zv.Kryeministër

Myfit bej Libohova – Ministër i Brendshëm

Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës

Abdi Toptani – Ministër i Financave

Petro Poga – Ministër i Drejtësisë

Dr. Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit

Mit’hat Frashëri – Ministër i Punëve Publike

Pandeli Cale – Ministër i Agrikulturës

Lef Nosi – Ministër i Post-Telegrafit

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit