Transmetuar më 03-12-2012, 13:32

Tiranë, 3 dhjetor 2012, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka komentuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, abstenimin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për shtetin e Palestinës.

Berisha u shpreh se zgjidhja e konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit nuk mund të zgjidhet duke anashkaluar angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Berisha shtoi se qëndrimi për abstenimin është shprehur në mënyrë publike një vit më parë në Asamblenë e OKB-së.

“Qëndrimin ndaj rezolutës e kam shprehur publikisht në shtator të vitit 2011 në sesionin e OKB. Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e dy shteteve të pavarura. Shqipëria është ndër më të paktat vende që ka njohur shtetin Palestinez. Unë kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute. Ne besojmë se kjo çështje, më kompleksja dhe e vështirë në planet, nuk mund të zgjidhet nëpërmjet përpjekjeve për të anashkaluar SHBA”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se zgjidhja e konfliktit mes dy vendeve nuk bëhet me anë të rezolutave të njëanshme. “Kjo rezolutë është firmosur nga dhjetëra shtete që nuk njohin Izraelin”, tha Berisha. Kryeministri ka deklaruar se “Turqia është një aleat i shkëlqyer i Shqipërisë dhe kryeministri Erdogan është një nga miqtë më të mëdhenj të Shqipërisë”, tha Berisha.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit