

Tiranë, 3 dhjetor 2012, NOA – Presidenti Bujar Nishani ka shpjeguar arsyet se përse ka zgjedhur në krye të organit të akuzës Adriatik Llallën. Bashkë me dekretin për emërimin e tij, kreu i shtetit ka paraqitur për mediat dhe relacionin ku jep argumentet për zgjedhjen e bërë. Presidenti shprehet se zgjedhja e Llallës është bërë mes disa kandidaturave.
“Me Dekretin Nr. 7840, datë 3.12.2012 kam vendosur të emëroj si Prokuror të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla. Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prokurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme”, shprehet kreu i shtetit.
Nga ana tjetër, Nishani shprehet se për zgjedhjen e tij është bazuar dhe në konsensusin që ka pasur mes forcave politike, për emërimin në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
“Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, thuhet në relacionin shoqëron dekretin e kreut të shtetit për emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





