

Tiranë, 30 Nëntor 2012, NOA- Në prag të Ditës Ndërkombëtare të AIDS, qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për zero infeksione të reja, zero diskriminim dhe zero vdekje nga AIDS-i.
Dita Ndërkombëtare e AIDS-it përkujtohet çdo vit në 1 dhjetor për të mobilizuar njerëzit e të gjithë botës në luftën kundër epidemisë së HIV-it. Në Shqipëri, rastet e raportuara vazhdojnë të jenë në rritje çdo vit. Që nga janari 2012 janë raportuar 70 raste të reja, duke e çuar numrin total të rasteve në 555. Femrat zënë 30% të rasteve dhe kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar vitet e fundit. Transmetimi seksual mbetet rruga kryesore e transmetimit të infeksionit (93% e rasteve). Transmetimi nga nëna tek fëmija përbën 4% të rasteve dhe transmetimi nëpërmjet gjakut përbën 3% të rasteve në total.
Që nga viti 2004 trajtimi me antiretroviral (ARV) ofrohet falas dhe aktualisht 222 pacientë trajtohen në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.
Testimi në vendin tonë siç raporton noa.al vazhdon të mbetet i ulët edhe pas ngritjes dhe funksionimit të mirë të qendrave të këshillimit dhe testimit vullnetar në rajone.
Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo, gjatë konferencës për shtyp bëri apel ndaj të gjithë shoqërisë shqiptare për të qenë më e përgjegjshme në stilin e jetesës, në mënyrë që të luftohet sa më shumë kjo sëmundje.
Raporti i publikuar nga UNAIDS me rastin e Ditës Ndërkombëtare të AIDS-it me 20 nëntor 2012, tregon se prevalenca e HIV-it në botë po zvogëlohet në mënyrë të shpejtë. Sipas të dhënave të raportit, kjo sëmundje ka rënë në vitin 2011 si rezultat i programeve për HIV-in.
Në disa vende me përhapje të lartë, përqindja e infeksioneve të reja ka rënë në mënyrë drastike që nga 2001. Aksesi ndaj trajtimit të HIV-it është përmirësuar shumë dhe njerëzit jetojnë më gjatë dhe më mirë si rezultat i efekteve pozitive të terapisë antiretrovirale.
Për herë të parë Dita Ndërkombëtare e AIDS-it është përkujtuar në vitin 1988. Që nga viti 1996, Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS-in (UNAIDS) koordinon planifikimin dhe organizimin e kësaj dite.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





