



Pesëmbëdhjetë artistë nga Nepali u mbyllën për rreth një muaj me 1.5 ton mbeturina nga mali Everest. Dhe kur dolën, ata i kishin transformuar mbeturinat në art.
Nga Gopal Sharma – Reuters 75 skulptura , duke përfshirë një ‘jak’, bizon të egër të zonës dhe instrumente tringëlluese me erë, u krijuan nga bombolat boshe të oksigjenit, tendat e prishura, litarët, mbeturinat ushqimore, mbajtëse gazi, shkallë alumini dhe qese plastike të hedhura gjatë dekadave nga alpinistët në faqet e malit më të lartë në botë.
Kripa Rana Shahi, drejtor i grupit të artit Da Mind Tree, tha se punimet e skulpturës, dhe ekzibicioni artistik që pasoi në kryeqytetin e Nepalit, Katmandu – kishin si qëllim ndërgjegjësimin e vizitorëve për mbajtjen pastër të malit Everest.
"Everesti është kurora jonë e botës," tha Shahi. "Ne nuk duhet ta trajtojmë kështu atë. Masa e mbeturinave që po grumbullohet aty dëmton krenarinë tonë."
Rreth 4,000 njerëz janë ngjitur në majat e malit Everest, 8,850 metra të lartë, shumica e tyre disa herë, që prej ngjitjes së parë nga neo-zelandezi Sir Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay Sherpa në vitin 1953.
Megjithëse alpinistët duhet të depozitojnë $4,000 në organet qeveritare, të cilat rimbursohen pasi ata japin prova se kanë larguar të gjitha hedhurinat e tyre nga ambientet e alpinizmit, aktivistët thonë se monitorimi i pastërtisë është shumë i vështirë.
Alpinistët që rikthehen tek kjo majë thonë se faqet e saj janë të mbushura me hedhurina të varrosura nën dëborë gjatë dimrit, që rishfaqen në verë me shkrirjen e saj.
Plehrat e përdorura në punimet artistike u morën nga mali prej alpinistëve Sherpa në vitin 2011 dhe në fillim të këtij viti nga banorë të zonës duke u zbritur me jakët leshëgjatë.
Këta të fundit u kremtuan në një prej punimeve. Kurse në një tjetër, cilindrat e zbrazur të oksigjenit u montuan në një kornizë metali për të krijuar rrota lutjeje budiste.
Një tjetër punim, nga piktori mural Krishna Bahadur Thing, është një pikturë tibetiane ‘mandala’ që tregon vendndodhjen e malit Everest në univers – e krijuar nga copëza metali e kanaçesh të flakura, të verdha, blu e të bardha, mbi një pllakë rrumbullake.
Vizitorët thanë se ishin të mahnitur nga numri i madh i sendeve të flakura që ishin kthyer në sende me vlerë.
"Kjo se tregon se gjithçka mund të përdoret në mënyrë artistike dhe se në art asgjë nuk shkon dëm," tha studentja 18-vjeçare e arteve të bukura Siddhartha Pudasaini.
Punimet janë në shitje me çmime prej $15 deri në $2,300, me një pjesë t fitimeve q shkon për artistët dhe pjesën tjetër për Shoqatën e Ngjitësve të Everest e cila sponsorizoi mbledhjen e mbeturinave nga mali i famshëm, sipas organizatorëve.
"Mbeturinat në Everest janë të turpshme. Ne këtu po i kthejmë ato në thesar,” tha për Reuters drejtori i shoqatës Wangchu Sherpa. FOTO
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





