

Vlorë, 28 nëntor 2012, NOA- Nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, Presidenti Bujar Nishani uroi gjithë shqiptarët për 100 Vjetorin e Pavarësisë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Nishani tha se kjo festë, është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombas kudo ku jeton.
“Simboli ynë , shenja jonë bashkuese, ky flamur ka bërë një rrugë të gjatë. Gjatë kësaj rruge të mundimshme ja kemi arritur nga flamuri ynë të mos ndahemi, por flamurit ti dalim zot. Janë provuar të na e grisin flamurin, por nuk i kemi lejuar, ndaj sot më shumë se kurrë po jetojmë ditën kur kujtojmë dhe nderojmë, punën, vlerën dhe kontributin e burrave të 1912”, u shpreh Nishani, citon noa.al.
Në vijim Kreu i Shtetit tha se me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nderohen ata që e bënë vendin të lirë dhe se sot 100 vjet më vonë njihen një më një të gjithë emrat e firmëtarëve të pavarësisë, plot 40 patriotë atdhetar.
Ai tha se shqiptarët nuk mund të jetojmë ndryshe veçse në simbiozë me flamurin, si të pandashëm njësh si trupi dhe shpirti, ku shtoi se shqiptarët janë një dhe të gjithë se bashku.
“Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër simbolin tonë. Nën dritën që na bashkon dhe rrugën na e tregon ky flamur. Me ngjyra ekzaltuese, nga më të vjetrit dhe krenarët është flamuri ynë. Gëzuar festën të gjithë shqiptarët në trevat tona, qoftë e bekuar kjo ditë”, përmbylli fjalën e tij Nishani.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





