Transmetuar më 24-11-2012, 19:59

Tiranë, 24 nëntor 2012, NOA- Kryeministri Sali Berisha u shpreh se para shqiptarëve del një detyrim madhor, që të bashkohen me njëri-tjetrin në projektin e tyre europian.

“Ata që vendosën firmën mbi aktin e pavarësisë, e vendosën atë firmë në emër të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike. Ndaj një detyrim madhor del para shqiptarëve që në projektin e tyre evropian të bëjnë gjithçka për t’u bashkuar njëri me tjetrin, siç kanë bërë për t’u bashkuar në momente të ekzistencës së tyre. Të jetë ky një proces, i cili duhet të arrihet me vendosmëri të madhe, në interesin më të mirë të kombit shqiptar, në interesin më të mirë të një Ballkani evropian, në interesin më të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne duhet të bëjmë gjithçka për një shekull paqe, lirie, stabiliteti, kudo që jetojmë”, u shpreh kryeministri.

Gjatë përurimit të ekspozitës me portretet e firmëtarëve dhe delegatëve të Aktit të Pavarësisë, kreu i qeverisë shprehu nderim për këta firmëtarë dhe shtoi se pavarësisht kohërave të vështira që ka kaluar populli shqiptar, sot ëndrrat e tyre janë bërë realitet, raporton noa.al.

“Jemi mbledhur sot për t’i uruar mirëseardhjen në këtë ndërtesë Ismail Qemal Vlorës, themeluesit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 40 firmëtarëve të aktit themelor, përfaqësues të të gjitha trojeve etnike shqiptare, përfaqësues të diasporës shqiptare në të katër anët e planetit, burrave, të cilët i dhanë jetë shtetit shqiptar”, vijoi kryeministri, për të shtuar se 40 shenjtorët e pavarësisë meritojnë të quhen të tillë pasi bënë përpjekje të jashtëzakonshme për konsolidimin e shtetit shqiptar.

Po ashtu kryeministri Berisha theksoi ndër të tjera se Shqipëria, sot është anëtare e NATO-s, e po bën përpjekjet më serioze për të ecur drejt BE për të shndërruar në realitet ëndrrën evropiane të rilindësve tanë.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit