

Tiranë, 23 nëntor 2012, NOA- Presidenti Bujar Nishani u takua me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në këtë takim, Gruevski i cilësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, duke nënvizuar se të dyja vendet kanë një plan strategjik të përbashkët për integrimin në strukturat euroatlantike.
Kryeministri maqedonas vuri në dukje se qeveria e tij po vazhdon reformat e përgjithshme për të përmbushur standardet evropiane dhe nënvizoi se me përpjekje të përbashkëta dhe dialog po synojnë të sheshojnë diferencat që ekzistojnë në vend, në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Maqedonisë, raporton noa.al.
Ndërsa nga ana e tij, presidenti Nishani gjatë takimit theksoi se për Shqipërinë është me rëndësi të madhe stabiliteti i Maqedonisë.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni në drejtim të zhvillimit të demokracisë dhe konsolidimit të institucioneve duke përsëritur qëndrimin e tij se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është bazë për një stabilitet të qëndrueshëm dhe standarde evropiane në Maqedoni.
Ndër të tjera, presidenti Nishani i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si shembull të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.
Si presidenti Nishani edhe kryeministri Gruevski ndanë të njëjtin mendim se mes dy vendeve tona duhet nxitur më tej bashkëpunimi në fushën ekonomike, turizëm, energjitikë dhe infrastrukturë, dhe se duhet shfrytëzuar pozicioni i favorshëm gjeografik për unifikimin e tregut ndërmjet dy vendeve dhe daljen në tregun rajonal e më gjerë.
Më herët, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, për 100 vjetorin e pavarësisë u prit në takim nga kryeministri Sali Berisha.
Sakaq, në fjalën e mbajtur në një konferencë të përbashkët Berisha përmendi thelbin e bisedës mes tyre, si projektet që priten të zhvillohen mes dy vendeve, por edhe çështja e shqyrtimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve me origjinë shqiptare dhe maqedonase në dy vendet tona.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri i Maqedonisë ka zhvilluar edhe një takim me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli ku uroi për festën e 100 vjetorit, duke theksuar ndër të tjera se sheh në Shqipëri një atmosferë pozitive, tregues i një të ardhmeje shumë pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





