



Droga e sekuestruar
Korçë, 23 nëntor 2012, NOA/Arjola Ymeraj- Policia kufitare e Korçës ka bërë të mundur zbulimin e afro 66 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa ka prangosur poseduesin e saj.
Në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë u bë ndalimi i 41 vjeçarit Jorgo Cenolli nga fshati Vashtmi, ndërsa u bë shpallja në kërkim e 24 vjeçarit me iniciale T.K po nga ky fshat.
Arrestimi i Cenollit sic raporton noa.al u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin qe ai drejtonte, kamion tip Benz me targa AA 806 CS, në pjesën e poshtme të shasisë u gjet një sasi prej 52 pako lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sattiva” me peshë në total prej 65 kg e 713 gramë.
Brenda mjetit u gjet gjithashtu edhe një armë zjarri automatik model 56 kalibri 7.62 mm.
Nga të dhënat paraprake thuhet se lënda narkotike ishte nisur drejt shtetit fqinj Greqisë dhe se arma e llojit automatik ishte marrë nga trafikantët me vete për të mbrojtur lëndën narkotike si dhe çdo të papritur që mund të ndodhte rrugës.
Lidhur me këtë ngjarje materialet në ngarkim të të ndaluarit dhe të shpallurit në kërkim i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i armëve”.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





